Albulena Haxhiu - Foto: Kallxo.com

Ministrja Haxhiu i quan shpifje pretendimet e deputetit Tahiri rreth rastit Dehari

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, i ka reaguar deputetit të PDK-së, Abelard Tahiri, i cili më herët gjatë ditës ka kërkuar sqarime nga partia në pushtet në lidhje me zhdukjen e mostrave të Astrit Deharit.

Ajo ka thënë se Tahiri po shpif dhe se ai duhet të ftohet si dëshmitar nga institucionet e drejtësisë.

Sipas saj, aludimi i Tahirit se Kryeministri dhe Kryetari i Kuvendit kanë qenë në njohuri për zhdukjen e mostrave të rastit Dehari, që në pranverën e vitit 2022, zgjon dyshimet se mbase Tahiri ka qenë i informuar që prej asaj kohe.

“Përse Abelardi e përmend pranverën e vitit 2022? Me çfarë saktësisht e ka ndërlidhur ai këtë? A ka qenë ai i informuar apo edhe i përfshirë në atë mision të zhdukjeve të mostrave? Të gjitha këto dyshime që i mundësoi z. Tahiri përmes deklaratës së tij, le t’i dëshmojë tashmë edhe si dëshmitar në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës”- ka thënë ajo.

Haxhiu ka shtuar se motivet për zvarritjen e zbardhjes së rastit të vrasjes së Astrit Deharit mbesin ende të panjohura për të.

Sipas saj, zërat e tillë [si nga Tahiri] vijnë për të larguar vëmendjen nga diku tjetër dhe asnjëherë për të hedhur dritë mbi të vërtetën.

Ajo e ka akuzuar edhe ish ministren Dhurata Hoxha që nuk ka marrë përgjegjësi për rastin.

“Për informim të opinionit publik, rikujtoj se që nga 5 nëntori i vitit 2016, pati një sërë përpjekjesh për të manipuluar të vërtetën mbi vrasjen e Astrit Deharit, në Burgun e Prizrenit. Për të gjitha këto kemi folur shumë herë. Paraardhësja e tij, ish ministrja Dhurata Hoxha përveç se nuk mori kurrfarë përgjegjësie për vrasjen në Burgun e Prizrenit, sipas dyshimeve e njëjta ka ndërhyrë edhe tek zyrtarët e SHKK dhe Inspektoratit”- ka thënë ajo.

Haxhiu ka thënë se kanë marrë shumë veprime për adresimin e veprimeve të papërgjegjshme të zyrtarëve në SHKK dhe Inspektorat.

Më 05.04.2024 Tahiri, ka kërkuar nga Lëvizja Vetëvendosje të jap shpjegime se përse po qëndron e heshtur lidhur me rastin e mostrave të Astrit Deharit.

Ai ka pyetur se ku qëndruan ato mostra për një vit e gjysmë dhe a pati ndërhyrje në to.

Krahas kësaj, ai ka pyetur deputetët e LVV-së pse nuk e votuan Komisionin hetimor parlamentar për zhdukjen e këtyre mostrave.

Tahiri, pyetje LVV-së: Çka është kjo heshtje për mostrat e rastit Dehari?