Tahiri (PDK): BE duhet t'i heq masat ndaj Kosovës, po penalizohen qytetarët e jo qeveria

Kryetari i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri ka deklaruar se me rastin e votimit në veri u pa një përfshirje e drejtpërdrejt e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, në çështjet e brendshme të Kosovës.

I bindur për këtë, ai i ka bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar që “t’i hap sytë” përball kësaj ndërhyrjeje.

“Kosova e ka vendosur vetën në kurth të panevojshëm me një çështje të tillë. Fatkeqësisht po jemi me problemin e njëjtë dhe po e shohim çdo herë e më shumë involvimin e presidentit serb në çështje tona, që mendoj se është e papranueshme. Në radhë të parë komuniteti ndërkombëtar duhet t’i hap sytë përball një involvimi kaq të madh dhe shumë të dëmshëm për të dyja shtetet, edhe për Kosovën edhe për Serbinë, për rrugën tonë evropiane”- ka thënë ai.

Procesi i votimit i mbajtur më 21.04.2024 në katër komunat në veri, sipas tij, nuk ka zgjidhur asgjë.

Si PDK, ai ka thënë se kërkojnë heqjen e masave të vendosura ndaj Kosovës nga BE, meqë ato po i dëmtojnë qytetarët e këtij vendi.

“Nuk u zgjidh asgjë- problemi është në derë. Ne vazhdojmë të kemi situatë shumë të pafavorshme sepse BE i sheh si kryetar jolegjitim njerëzit që janë zgjedh me 2 apo 3% të votave. Se si do të ec procesi më tutje unë nuk mund të paragjykoj, por ajo që ne kemi kërkuar është që sa më parë masat të hiqen sepse ato po i penalizojnë qytetarët e Kosovës- jo qeverinë”- ka thënë ai pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, të mbajtur më 22.04.2024.

Më 21.04.2024 në katër komunat në veri, Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Leposaviq e Zubin-Potok është organizuar votimi për shkarkimin e kryetarëve.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar që gjatë votimeve për ose kundër largimit të kryetarëve të Leposaviqit, Zubin Potokut dhe Mitrovicës së Veriut kanë votuar vetëm 253 qytetarë, derisa në Zveçan asnjë, duke e cilësuar të dështuar këtë proces.