Arrestimi i administratorit të "Albkings", Haxhiu: Ky ishte grupi më denigrues që ka ekzistuar ndonjëherë

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e ka mirëpritur arrestimin e njërit prej administratorëve të grupit “Albkings” në rrjetin social Telegram.

“Albkings”-in, i cili kishte mbi 100 mijë përdorues, Haxhiu e ka cilësuar si “grupi më denigrues që ka ekzistuar ndonjëherë”.

Haxhiu ka përkujtuar se ky grup shpërndante fotografi e video të grave e vajzave me qëllim të denigrimit, shantazhimit, shpifjeve, kërcënimeve dhe abuzimeve.

“Dëmi emocional dhe dhuna psikologjike e shkaktuar nga ky grup duhet dënuar”, ka shkruar Haxhiu në Facebook.

Ministrja e Drejtësisë ka apeluar që ky rast të vazhdoj të trajtohet me seriozitet.

Sipas saj, ka shumë raste që pas ndarjes së paligjshme të fotografive apo videove private, gra e vajza kanë bërë vetëvrasje.

Duke e vlerësuar punën e Policisë e Prokurorisë, Haxhiu ka thënë që secili nga personat duhet të përgjigjet para drejtësisë.

Arrestohet njëri nga administratorët e grupit ‘Albkings’ në Telegram që shpërndanin pamje denigruese të vajzave