Ministrja Gërvalla: Në janar 2024 udhëtojmë pa viza në vendet evropiane

1 janari 2024 është koha kur qytetarët e Kosovës më në fund do të mund të udhëtojnë pa viza në vendet evropiane.

Kështu ka thënë në një intervistë në emisionin “Kallxo Përnime” ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla.

“Mos të harrojmë që për herë të parë kemi një datë finale – 1 janarin 2024, kur hyn në fuqi liberalizimi i vizave pavarësisht se çfarë ndodhë me sistemin e ETIAS” – tha ajo.

Për kryediplomaten kosovare, kushti për sistemin ETIAS që ishte vendosur nga Franca, ka ngritur një shqetësim në fillim.

“Ne kemi pasur një shqetësim të madh kur u ngrit çështje e ETIAS, sepse ai sistem ka qenë i paraparë të hyjë në shfrytëzim në nëntor të këtij viti por nuk ka hyrë, është shtyrë për maj të vitit të ardhshëm, është shtyrë përsëri për në nëntor 2023, dhe shqetësimi ynë ka qenë që nëse lidhen vizat me ETIAS, atëherë pritja mund të zgjas pafundësisht” – tha ajo.

Gërvalla nuk e ka përjashtuar mundësinë që regjimi i vizave të largohet para janarit të 2024.

“Sukses është që kemi një datë finale, sukses është që të mund të ndodhë edhe më herët, por jo më larg se 1 janari 2024, më në fund kemi një datë fikse, pa kusht” – tha ajo.

“Nëse ndodh më herët, ndodh në momentin kur fillon të futet në shfrytëzim sistemi ETIAS, edhe ashtu kur jepet premtimi për liberalizim vizash nuk do të thotë që hyn në fuqi menjëherë sepse janë një sërë fazash teknike si ndërrimi i sistemeve kufitare të cilat janë të nevojshme, por e kemi një datë finale, qytetarët e Republikës së Kosovës, nga janari 2024 do të mund të lëvizin pa viza dhe ky është një hap i rëndësishëm dhe është një hap që e kemi pritur kaq kohë” – theksoi ajo.

Të martën, ambasadorët e Bashkimit Evropian kanë miratuar tekstin e kompromisit për liberalizimin e vizave për Kosovën.

ETIAS kërkon që qytetarët e huaj, të cilët udhëtojnë pa viza në territorin e BE-së, t’i regjistrojnë të dhënat e tyre në këtë sistem para udhëtimit.

Ky sistem – krejtësisht elektronik – mundëson verifikimin e të dhënave të qytetarëve të vendeve të treta, që nuk kanë nevojë për vizë, për të hyrë në Zonën Schengen.

Procedura ligjore për të miratuar sistemin ETIAS ka nisur më 2016, dhe sistemi pritet të jetë plotësisht operacional brenda vitit 2023 – pa ndonjë datë të saktë.

Kosova, aktualisht, është vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor, qytetarët e të cilit nuk mund të lëvizin lirshëm në këtë zonë.