
Ministri Sveçla publikon pamje nga mbyllja e komunave ilegale serbe në rajonin e Dukagjinit - VIDEO
Në aksionin e mbylljes së një komune ilegale serbe në Pejë morën pjesë edhe ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla dhe ai i Adminstrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi.
Sveçla thotë se rendi dhe ligji janë për të gjithë pa dallim dhe se institucionet ilegale nuk kanë vend në Kosovës.
“Në Gorazhdec, Policia e Kosovës me urdhër të Prokurorisë, në një aksion bën mbylljen e Komunës ilegale të Serbisë. Ashtu siç kemi theksuar, nuk ka vend për institucione ilegale në Republikën e Kosovës. Vazhdojmë me rend dhe ligj, për të gjithë pa dallim dhe diskriminim” – shkroi Sveçla në Facebook.
Krasniqi në anën tjetër deklaroi se institucionet që nuk janë në përputhje me Kushtetutën nuk kanë vend.
“Pas Osojanit në Komunën e Istogut dhe Videjës në Komunën e Klinës tashmë tash në Komunën e Pejës në Gorazhdec po mbyllet zyra ilegale e Serbisë në Kosovë. Nuk ka vend për institucione të cilat nuk janë në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës”, deklaroi Krasniqi.
KALLXO.com ka raportuar për aksionin e sotëm policor në rajonin e Pejës, kundër zyrave të strukturave ilegale serbe.
Disa persona tashmë janë identifikuar si të dyshuar dhe janë intervistuar nga policia.
Prokurori i Shtetit nga Peja që po udhëheq këtë aksion ka urdhëruar policinë që të sekuestrojnë materiale të dyshimta brenda hapësirave të bastisura.