Aksioni policor, konfiskohen dokumente e materiale tjera në rajonin e Pejës

Disa flamuj të Serbisë janë larguar, materiale e dokumente janë konfiskuar pas bastisjeve të sotme të Policisë së Kosovës në zyra që dyshohen të jenë të strukturave paralele serbe. 

Disa persona tashmë janë identifikuar si të dyshuar dhe janë duke u intervistuar nga policia. 

Këto janë disa nga të dhënat që ka siguruar KALLXO.com në lidhje me aksionin e sotëm policor në tri komuna në rajonin e Dukagjinit, Pejës, Istogut e Klinës. 

Siç mëson KALLXO.com, prokurori i Shtetit nga Peja që po udhëheq këtë aksion ka urdhëruar policinë që të sekuestrojnë materiale të dyshimta të cilat dyshohet se gjenden në zyrat e strukturave paralele serbe në disa fshatra të komunave të lartë përmendura. 

Në fshatin Gorazhdevc në Pejë tashmë ka përfunduar bastisja, aty nuk është gjetur diçka e dyshimë. 

Policia është në kërkim të dokumenteve të cilat dyshohet se janë për falsifikim dhe kanë përmbajtje të rreme. 

Kështu të paktën nisi hetimi në bazë të informacioneve që siguruan organet e ndjekjes. 

Aktualisht siç mëson KALLXO.com, aksioni po vazhdon në dy fshatra të tjera, në Videj të komunës së Klinës dhe në një fshat tjetër në Istog. 

Prokuroria Themelore në Pejë dhe Departamenti i Krimeve të Rënda në Policinë e Kosovës kanë nisur një hetim i cili sot po përfundon me bastisje nën dyshimet për kryerje të veprave penale në këto zyra të strukturave ilegale për falsifikim dhe përmbajtje të rreme.