Foto: Denis Sllovinja / KALLXO.com

Ministri Sveçla alarmoi se "400 ekstremistë" po trajnohen afër kufirit, KFOR-i flet për gjendjen e sigurisë

KFOR-i, si mision paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, ka ripërsëritur se që nga maji i vitit 2023, në Kosovë janë dislokuar 1000 trupa shtesë, duke shënuar kështu përforcimin më të madh të këtij misioni përgjatë një dekade.

Ky qëndrim i KFOR-it ka ardhur si përgjigje për Kallxo.com, pas pyetjeve rreth deklaratës së ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, se janë rreth 400 “ekstremistë”, të cilët po trajnohen afër kufirit me Kosovën.

Duke mos u marrë drejtpërdrejt deklaratën e ministrit Sveçla, KFOR-i ka njoftuar se Komandanti i misionit mbetet në kontakt të ngushtë me të gjithë homologët e tij kryesorë.

“Komandanti i KFOR-it mbetet në kontakt të ngushtë me të gjithë homologët e tij kryesorë, përfshirë përfaqësuesit e organizatave të sigurisë në Kosovë, shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Serbisë, EULEX-in, OKB-në, OSBE-në dhe trupin diplomatik” – thuhet në përgjigjen e KFOR-it.

Në aspektin e ofrimit të sigurisë, KFOR bën të ditur se ka rritur qëndrimin në veri të Kosovës dhe ka trefishuar numrin e patrullave, duke përfshirë ato përgjatë ‘vijës kufitare administrative’.

“NATO vazhdon të nxisë Beogradin dhe Prishtinën që të angazhohen në dialogun e lehtësuar nga BE-ja, si e vetmja mënyrë për të zgjidhur çështjet e pazgjidhura dhe për të arritur zgjidhje që respektojnë të drejtat e të gjitha komuniteteve. Ky është çelësi për sigurinë e qëndrueshme në Kosovë dhe stabilitetin në rajon”- shkruan në përgjigjen e KFOR-it.

Ministri Sveçla në një intervistë për median në Shqipëri “News 24″ më 01. 04.2024, tha se Kosova është duke u përgatitur, fillimisht siç tha ai të parandalojnë çfarë do lloj sulmi, por duke mos e përjashtuar mundësinë e ballafaqimit.

“Momentalisht janë diku rreth 350-400 ekstremistë të cilët janë duke vazhduar trajnimet në zonat përreth kufirit me Kosovën, për të qenë të gatshëm që në një urdhër të Vuçiqit të riaktivizohen me veprime agresive në Kosovë. Patjetër këto grupe janë aktive, herë më shumë e herë më pak, herë duke u trajnuar ushtarakisht e herë duke vepruar si banda kriminale, të kyçura në kontrabanda të ndryshme” – tha ai.

Sveçla shtoi që institucionet e Kosovës po i përcjellin dhe po përgatiten që së pari të parandalojnë çfarëdo lloj skenari por pastaj edhe të ballafaqohen fuqishëm dhe suksesshëm ndaj çfarëdo lloj veprimtarie e cila cenon Republikën e Kosovës.

Përndryshe, kryeministri Albin Kurti më 21.03.2024, kishte publikuar pamje të ushtrisë së Serbisë afër kufirit me Kosovën.

Ai kishte publikuar një video ku shihen disa persona në uniformë.

Kurti tha se lëvizje të ngjashme janë regjistruar edhe në fshatin Oslare të Bujanovcit, në afërsi të kufirit me Kosovën.

Më 24.09.2023 një sulm terrorist u krye në Banjskë të Zveçanit. Afrim Bunjaku, rreshter i Policisë së Kosovës, u vra, një polic tjetër u plagos e një tjetër u lëndua nga ky sulm, ndërsa Policia u sulmua disa herë radhazi nga grupi terrorist deri sa anëtarët e grupit ikën në drejtim të Serbisë.

Gjatë kundërsulmit nga Policia e Kosovës ishin vrarë së paku 3 pjesëtarë të grupit të udhëhequr nga Milan Radoiçiq.