Kurti publikon pamje të ushtrisë së Serbisë afër kufirit me Kosovën

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar se sot gjatë ditës njësi të specializuara të ushtrisë së Serbisë janë vërejtur vetëm disa metra larg kufirit me Kosovën, në afërsi të fshatit Banje të Zubin Potokut.

Ai ka publikuar një video ku shihen disa persona në uniformë.

Kurti tha se lëvizje të ngjashme janë regjistruar edhe në fshatin Oslare të Bujanovcit, në afërsi të kufirit me Kosovën.

“Ditë më parë, Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kërcënoi publikisht Kosovën, duke thënë se ’Serbia do të presë momentin më të mirë të mundshëm dhe do ta shfrytëzoj mundësinë për të vepruar’” – tha Kurti.

I njëjti shtoi se janë të vetëdijshëm se Forcat e Armatosura të Serbisë janë duke realizuar stërvitjet e rregullta dhe ato janë duke i përdorur si pretekst për të shkaktuar provokime të qëllimshme në afërsi të kufirit me Kosovën.

Kurti tha se janë duke vëzhguar me kujdes se a do të përpiqen ta kalojnë kufirin, gjersa theksoi se edhe ky afrim i automjeteve të tyre ushtarake nuk është normal.

www.kallxo.com