Osmani në OKB: Kosova jo vetëm se kapërceu rrënojat e luftës, por është kthyer në shembull të demokracisë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani po e mban fjalimin e saj në seancën e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, me ç’rast ka përmendur edhe ndërhyrjen e NATO-s 25 vjet më parë.

Osmani theksoi se si një organizatë e themeluar mbi rrënojat e luftës, Kombet e Bashkuara, me krijimin e saj, u angazhuan për të mbrojtur të drejtat e njeriut nga plaga e shkatërrimit.

Ajo theksoi se ndërhyrja e NATO-s 25 vjet më parë, shënuan jo vetëm një kthesë vendimtare për historinë e Kosovës,  por një moment vendimtar në historinë moderne të njerëzimit.

“Sot, teksa qëndroj këtu duke përfaqësuar vendin tim, Republikën e Kosovës, më kujtohet ndikimi i thellë i bashkimit të demokracive për një qëllim të përbashkët. Ishte vetëm 25 vjet më parë, kur ndërhyrja e NATO-s së bashku me aspiratën e palëkundur të popullit tim për liri, shënuan jo vetëm një kthesë vendimtare në historinë e vendit tonë, por edhe një moment historik vendimtar në historinë moderne të njerëzimit”- ka thënë Osmani.

“Ajo ndërhyrje nuk kishte të bënte vetëm me ndërtimin e paqes; ishte kryesisht dhe më e rëndësishmja, për mbrojtjen e shenjtërisë së jetës njerëzore dhe të drejtën e të gjithë njerëzve për të jetuar të lirë nga frika e shkatërrimit dhe persekutimit. Ajo nënvizoi domosdoshmërinë që kur njëri prej nesh kërcënohet nga tirania, është një kërcënim për të gjithë. Na kujtoi domosdoshmërinë e të vepruarit si forcë e bashkuar përballë padrejtësisë së rëndë, duke mbrojtur me çdo kusht jetë njerëzore”- ka shtuar ajo.

Presidentja ka thënë se 25 vite më vonë, Kosova shkëlqen si një sukses i jashtëzakonshëm dhe avokuese për vlerat demokratike, duke përqafuar diversitetin, duke promovuar multietnicitetin dhe avancuar të drejtat e njeriut për të gjithë.

“25 vjet më vonë, Kosova shkëlqen si një sukses i jashtëzakonshëm dhe avokuese për vlerat demokratike, duke përqafuar diversitetin, duke promovuar multietnicitetin dhe avancuar të drejtat e njeriut për të gjithë. Ne kemi bërë një rrugë të gjatë që atëherë dhe jemi dëshmitarë të një transformimi të jashtëzakonshëm dhe frymëzues”- ka deklaruar Osmani.

“Republika jonë e re jo vetëm që ka kapërcyer rrënojat e luftës, por është kthyer në një shembull të shquar të ‘demokracisë në veprim’ të ushqyer nga shpirti i gjallë i rinisë sonë dhe vendosmëria e palëkundur e popullit tonë”- theksoi ajo në OKB.

Presidentja, Vjosa Osmani, do ta përfaqësojë Kosovën në Këshillin e Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB), në seancën e cila do të mbahet sot më 22.04.2024.

Fjalimi i saj në këtë seancë pritet të përfshijë edhe tema tjera si, progresin, zbatimin e reformave, të drejtat e njeriut, demokracinë, sundimin e ligjit si dhe fusha të tjera me rëndësi për Kosovën.