Ilustrim/ Ushtrimi “Steel Alpha 2023”. Foto: Forca e Sigurisë së Kosovës

Ministri i Mbrojtjes flet se kur mund të shkojë FSK në veri

Një deklaratë se në rast të ndonjë kërcënimi direkt apo invazioni ushtarak prek territorin e sovranitetin e Kosovës, FSK është e obliguar ta mbrojë vendin dhe mund të zbarkojë në veri të Mitrovicës, e thënë nga ministri i ri i mbrojtjes ka bërë që Zyra për Kosovë në Qeverinë e Serbisë ta konsideroj këtë çështje si kërcënim direkt.

Ejup Maqedonci disa herë gjatë një interviste të dhënë në transmetuesin publik, përmendi se Kushtetuta e Kosovës obligon FSK-në që të veprojë në rast se preket territori apo sovraniteti i vendit.

Ai madje përmendi edhe se kur ka pasur marrëveshje ndërkombëtare kanë vepruar me aleatët në bashkërendim.

Në bazë të një marrëveshjeje e cila daton që nga viti 2013, e nënshkruar në atë kohë nga ish-kryeministri Hashim Thaçi, drejtuar Sekretarit Gjeneral të NATO-s, Andres Fogh Rasmussen, kishte garantuar se Forcat e Sigurisë së Kosovës do të kenë mundësi që të ndërmarrin misione në veri të Kosovës vetëm në bashkëveprim me KFOR-in.

Pra Forca e Sigurisë së Kosovës edhe pse shërben si institucion i sigurisë dhe detyrat e saj përfshijnë edhe pjesëmarrjen në operacionet e reagimit ndaj krizave, operacionet paqeruajtëse në raste të fatkeqësive të ndryshme, por edhe emergjencave, nuk mund të hyjnë në territorin e katër komunave me shumicë serbe pa pasur fillimisht një aprovim nga ana e NATO-s dhe KFOR-it.

Por qasja e ministrit të ri ndaj kësaj marrëveshje është ndryshe. Ai bindshëm tregon se në rast të cenimit të territorit dhe sovranitetit nuk është marrëveshja që rregullon zbarkimin e forcave ushtarake në atë pjesë apo tjetër, por Kushtetuta e Republikës së Kosovës e obligon një gjë të tillë.

“Letra nuk specifikon që duhet të arrihet marrëveshja e Serbisë për të zbarkuar FSK atje, mund edhe të mos e zbarkojmë kurrë nëse nuk ka nevojë për zbarkim, të mos kemi nevojë të kemi kazermë atje por kjo varet se si e bëjmë konceptin e operacionit apo konceptin e mbrojtjes sa jemi të kërcënuar nga pjesë të ndryshme, vlerësoj që nuk është arritja e marrëveshjes ajo pika kur ne të marrim hapin, vlerësoj se kur cenohet territori i Kosovës, sovraniteti i vendit ne do të jemi aty prezent, dmth nuk ka asnjë përkufizim për ne, në aspektin kushtetues dhe kushtetuta është ajo që na obligon që të jemi të gatshëm ta mbrojnë territorin dhe sovranitetin, pra nuk janë marrëveshjet ndërkombëtare ato që do të bëjnë këto, është situata, rreziku dhe kërcënimi”- është një pjesë e deklaratës së ministrit të ri të Mbrojtjes, Ejup Maqedonci gjatë një interviste në transmetuesin publik.

Maqedonci i cili ka një karrierë të gjatë ushtarake, e që në FSK mbajti pozita të ndryshme, tregon se në raste kur ka marrëveshje ndërkombëtare duke u bazuar edhe në vendimin e 2013-s, ka pasur zakonisht bashkërendim me aleatët ndërkombëtarë.

“KFOR-i vazhdon të jetë prezent atje, policia është prezent atje, ushtria vendoset do të kuptohemi në një territor kur cenohet territori prej ndonjë force ushtarake të uniformuar, apo prej ndonjë grupi të armatosur që është i organizuar dhe del hapur”- vazhdon deklarimin ministri Maqedonci.

Sipas ministrit të ri të mbrojtjes, zgjidhja e çështjes së veriut do të jetë më shumë politike dhe sipas tij nuk do të ketë nevojë për zbarkim të trupave ushtarake të Kosovës atje për të zhvilluar ndonjë operacion.

“Ajo pjesë është pjesë e territorit tonë, qytetarët në veri të vendit janë qytetarë të Kosovës, për momentin nuk është e nevojshme, nuk është ngritur as si shqetësim dhe nevojë zbarkimi i FSK atje nga askush deri më tani, shpesh kjo është ekzagjeruar për shkak të interesave të ndryshme por besoj se përderisa ekziston një letër që është dërguar, dhe ekziston një bashkëpunim i vazhdueshëm me KFOR ajo do të shfuqizohet pas krijimit të kushteve për shfuqizimit të saj dhe që do të vijë pas një përpjekje politike”- thotë tutje Maqedonci.

Ish- koloneli i FSK-së tash drejtuesi i Ministrisë së Mbrojtjes, tregon tutje edhe kur mund t’i humb vlera vendimit të 2013-ës.

“Nuk do të thotë që do të jetë ajo pika kur letra mund të humb efektin mund të jetë shumë më herët, mund të jetë pas një de-eskalimi të gjendjes, qetësimit dhe bashkërendimit në mes të faktorit ndërkombëtar ne dhe qytetarëve tanë atje, dhe nuk e vlerësoj që është domosdoshmërisht marrëveshja finale ku hapur ne do të jemi prezent atje”- thotë ai.

Maqedonci tregon se kërcënim mund të konsiderohet kur grupe të dyshimta apo forca ushtarake tentojnë të kryejnë invazion dhe me këto veprime kërcënojnë territorin dhe sovranitetin e që sipas tij kushtetuta obligon FSK-në të veprojë.

“Kushtetuta na obligon. Ne përgatitemi të mbrojmë territorin tonë, çdo tentativë për shkëputje në forcë do të pasohet me veprimet ushtarake të FSK-së, që përgatitet për të mbrojtur territorin e vendit”- tregon tutje ministri.

Gjatë intervistës që pati Maqedonci, përmendi edhe faktin se siguria në Kosovë është e cenueshme nga Serbia për disa arsye sipas tij.

Ai nis me faktin se Kosova nuk njihet nga Serbia duke vazhduar diskutimin se çështja tjetër është që edhe se shteti serb parasheh vendin si pjesë të saj.

“Gjithashtu edhe vendosja e bazave të përparme operacionale përreth territorit të Kosovës, është një kërcënim që pavarësisht deklarimeve të tyre ne e konsiderojmë një kërcënim të përditshëm, i kemi 28 baza ushtarake përreth territorit të Kosovës dhe 20 baza të xhandarmërisë, të cilat janë të lokalizuara nga 0 deri 5 kilometra në brendësi në territorin e Serbisë pra në zonën e gjelbër që ka qenë më herët të sigurisë”- tha ai deri sa shtoi se nga katër brigadat që ka Serbia, në dispozicion të saj, tri nga to janë të drejtuara armiqësisht në drejtim të territorit të Kosovës.

Këto brigada janë të vendosura në jug dhe qendër të Serbisë, që me të vërtetë kjo na obligon që të jemi vigjilent dhe të kemi parasysh këtë rrezik.

Disa orë pasi Maqedonci dha intervistën në transmetuesin publik, Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, ka reaguar duke konsideruar kërcënim direkt deklarimin e ministrit të mbrojtjes.

Ai në një postim të publikuar në faqen zyrtare të Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, tha se në kohën kur Kryeministri Kurti çdo ditë po nxit konflikte, tensione e provokime në veri të vendit deklarata e Maqedoncit kuptohet si kërcënim i hapur.

“Mesazhe të tilla të rrezikshme, klithma luftarake dhe kërcitje armësh drejtuar popullit serb në veri të Kosovës as nuk shkojnë në drejtim të deeskalimit aq të nevojshëm, as në drejtim të një zgjidhjeje paqësore dhe të qëndrueshme, por përkundrazi ngrenë tensionet, sjellin trazira në mesin e popullit serb dhe kërcënojnë të destabilizojnë të gjithë rajonin”- thuhet në reagimin e Petkoviq.

Tutje ai shton se duhet të studiojnë me kujdes garancitë që ekzistojnë se asnjë forcë e sigurisë së Kosovës nuk mund të hyjë kurrë në veri të Mitrovicës.

“Këto nuk janë vetëm garancitë e vitit 2013 nga Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Anders Fogh Rasmussen, por edhe garancitë që NATO dha dhjetorin e kaluar se KBS nuk mund të shkojë në veri pa pëlqimin e tyre”- reagon Petkoviq.

Tensionet e ngritura e të regjistruara muajt e fundit në veri të Mitrovicës shpesh herë prodhuan edhe lajme të rreme se në disa raste, ushtarakët e Kosovës ishin nisur drejtë veriut.

KALLXO.com përmes Krypometrit ka demantuar disa herë raportimet e tilla se pjesëtarët e FSK-së kishin zbarkuar atje.

Në shtator të vitit të kaluar,  Lista Serbe ka reaguar në lidhje me siç e kanë quajtur ata “ndërhyrje të paligjshme të pjesëtarëve të Forcave të Sigurisë së Kosovës në territorin e Komunës së Zubin Potokut”.

Madje për këtë çështje ata në reagimin e tyre të publikuar në Facebook, kanë thënë se është shkelur marrëveshja e vitit 2013 në të cilin potencohet se “Forca e Sigurisë së Kosovës nuk mund të hyj në territorin e veriut të Kosovës pa marrë paraprakisht leje nga kryetarët e komunave me shumicë serbe dhe nga KFOR-i”.

KALLXO.com, kishte arritur që të identifikojë një artikull i cili është publikuar pak orë para reagimit të Listës Serbe.

Më 25 shtator 2022, në orën 15:26, portali online në Serbi “Novosti” publikoi një lajm me titull “Kurti nuk përmbahet nga asgjë: Pas ROSU-s edhe ushtria futet në veri”. Në artikull thuhet se kanë marrë informacione jozyrtare se gjatë të shtunës, më 24 shtator 2022, në zonën e Zubin Potokut, më saktësisht në malin e Mokra Gorës janë vërejtur tetë automjete të Forcave të Sigurisë së Kosovës të cilët kanë hyrë nga drejtimi i Komunës së Istogut. Në artikull më tej thuhet se ata ishin futur në Zubin Potok ndërsa në automjete gjindeshin diku 30 ushtarë të armatosur të FSK-së.

Ky artikull u pasua edhe me një artikull tjetër referuar reagimit të Listës Serbe. Media online “Novosti.rs” publikoi artikullin me titull “Edhe Lista Serbe konfirmon: Kryetarët tanë nuk e kanë miratuar shkeljen brutale të marrëveshjes dhe rrezikimit të paqes në këto zona”.

Lajmet e shpërndara nëpër media për hyrjen e trupave të FSK-së në veri të Kosovës i kishte quajtuar dezinformata ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj.

“Këto lajme të rrejshme i cilësojmë dezinformata të rrezikshme me qëllim të krijimit të klimës së tensioneve dhe tendencës për dëmtimin e imazhit Republikës së Kosovës dhe të FSK-së në aspektin ndërkombëtar, por realisht qytetarët tanë pa dallim etnie kuptojnë drejt rolin mbrojtës të FSK-së dhe padyshim është e qartë edhe hapësira gjeografike që Ushtria e Republikës së Kosovës bashkë me partnerët ndërkombëtarë mbulon, pra çdo cep të shtetit” – kishte shkruar Mehaj në në Facebook.

Disa lajme dhe postime të tjera ka identifikuar dhe ka konfirmuar se janë lajme të pavërteta Krypometri.

Në qershor të këtij viti disa video incizime të një kontigjeni të ushtarëve të FSK-së, ishin publikuar në rrjetin social Tik- Tok e që pretendohej se të njëjtit po hynin në veriun e Kosovës.

Edhe këto pretendime u demantuan menjëherë pasi u tha se pjesëtarët e FSK-së kishin marrë pjesë në një ushtrim në bazë të planit vjetor e që parakalimi ishte mbajtur në Mitrovicë por jo në veri siç ishte raportuar.