Kuvendi i Kosovës sot mban seancë në nderim të rënies së komandantit të UÇK-së, Ilaz Kodra
Kuvendi i Kosovës, më 02.05.2024, do të mbajë seancë solemne në nderim të rënies së komandantit të UÇK-së, Ilaz Kodra dhe 315 dëshmorëve e martirëve, të rënë më 30 prill 1999 në Drenicë.
Seanca pritet të nis në ora 10:00.
Më 30.04.2024 janë bërë 25 vjet nga rënia heroike e komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Ilaz Kodra, i cili kishte qenë pjesë e celulave të para të UÇK-së dhe pjesëmarrës i në betejat e zhvilluara në Drenicë dhe rrethinë.
Ilaz Ismajl Kodra u lind më 3 maj 1966 në lagjen Kodra të Prekazit. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa tetëvjeçaren dhe shkollën e mesme në Skënderaj.
Edhe Ilazi, ashtu si më parë Adem dhe Hamëz Jashari kishin mendime identike lidhur me nevojën e fillimit të luftës së armatosur, në kohën kur po shihej mirëfilli se Jugosllavia do të shpërbëhej dhe kur tashmë kishte filluar shkatërrimi i saj me ndarjen e Sllovenisë dhe me fillimin e luftës në Kroaci e më vonë edhe në Bosnje e Hercegovinë.
Pas rënies së Fehmi Lladrovcit dhe Xheva Krasniqit-Lladrovci më 22 shtator 1998, Ilaz Kodra ishte caktuar komandant i kësaj brigade, e cila mori emrin e komandantit të saj të parë, Fehmi Lladrovci. Rrezja e veprimit luftarak e Brigadës 114, “Fehmi Lladrovci” e Zonës Operative të Drenicës shtrihej në një pjesë të Qyqavicës, prej Kronit të Mbretit, në Vasilevë në Drenas, Verboc Shtuticë, Baks, Qirez, Morinë, Dashevc, Prekaz, Polac, Prelloc, Skenderaj e deri në Tërnac.
Me të marrë lajmin se forcat serbe po bënin përpjekje të mësynin popullatën civile në fshatin Verboc e Shtuticë, Ilaz Kodra ishte nisur për t i shkuar në ndihmë popullatës. Herët në mëngjes kishte filluar sulmi i forcave armike, të cilat kishin rrethuar vendi në formë patkoi. Ilaz Kodra kishte luftuar fyt për fyt kundër forcave serbe.
Ai kishte rënë në altarin e lirisë më 30 prill 1999, në fshatin Shtuticë. Në vitin 2012 ishte zbuluar busti i heroit dhe është inauguruar kulla-muze e tij.