Misioni i KFOR-it në Kosovë Foto: KFOR/Twitter

Trupa të FSK-së në veri: Ministri i Mbrojtjes dhe KFOR-i demantojnë Listën Serbe

Dy ditë më parë, Lista Serbe ka reaguar në lidhje me siç e kanë quajtur ata “ndërhyrje të paligjshme të pjesëtarëve të Forcave të Sigurisë së Kosovës në territorin e Komunës së Zubin Potokut”. 

Madje për këtë çështje ata në reagimin e tyre të publikuar në Facebook, kanë thënë se është shkelur marrëveshja e vitit 2013 në të cilin potencohet se “Forca e Sigurisë së Kosovës nuk mund të hyj në territorin e veriut të Kosovës pa marrë paraprakisht leje nga kryetarët e komunave me shumicë serbe dhe nga KFOR-i”.

Ata kanë thënë se ky është “provokim, shkelje brutale, rrezikim i paqes” dhe kanë kërkuar reagim të menjëhershëm nga KFOR-i.

“Në momentin kur Prishtina përpiqet të pushtojë komunat në veri duke militarizuar veriun dhe duke u përplasur me armë, incidente të tilla janë të papranueshme dhe kërkojnë reagimin e të gjithë atyre që janë përgjegjës për një mjedis të sigurt të të gjithë qytetarëve” – thuhet në reagimin e Listës Serbe. 

Në reagimin e tyre përmendet edhe çështja e targave dhe konvertimi i tyre në RKS.

“Po përpiqet të frikësojë (Kryeministri Kurti)  qytetarët paqësorë dhe serbë në komunat në veri dhe të ngris tensione për të larguar vëmendjen e publikut nga çështjet e ndezura që po grumbullohen në Prishtinë” – vazhdon tutje reagimi. 

KALLXO.com, ka arritur që të identifikojë një artikull i cili është publikuar pak orë para reagimit të Listës Serbe. 

Më 25 shtator, në orën 15:26, portali online në Serbi “Novosti” ka publikuar një lajm me titull “Kurti nuk përmbahet nga asgjë: Pas ROSU-s edhe ushtria futet në veri”. Në artikull thuhet se kanë marrë informacione jozyrtare se gjatë të shtunës, më 24 shtator, në zonën e Zubin Potokut, më saktësisht në malin e Mokra Gorës janë vërejtur tetë automjete të Forcave të Sigurisë së Kosovës të cilët kanë hyrë nga drejtimi i Komunës së Istogut. Në artikull më tej thuhet se ata ishin futur në Zubin Potok ndërsa në automjete gjindeshin diku 30 ushtarë të armatosur të FSK-së.

Ky artikull u pasua edhe me një artikull tjetër referuar reagimit të Listës Serbe. Media online “Novosti.rs” publikoi artikullin me titull “Edhe Lista Serbe konfirmon: Kryetarët tanë nuk e kanë miratuar shkeljen brutale të marrëveshjes dhe rrezikimit të paqes në këto zona”. 

Me burime jozyrtare të portalit “Noveste.rs”, lajmin për hyrjen e pjesëtarëve të FSK-së në veri të e ka publikuar edhe portali “Udarnavest.rs”. Disa media serbe online në Kosovë e Serbi, si “Gradskeinfo.rs”, “Graçanica Online”, “Rtg.rs”, ”Tanjug”, “Pink.rs” e kanë publikuar vetëm reagimin që kishte publikuar Lista Serbe. 

Nga reagimi i Listës Serbe lajme kanë publikuar edhe media online në gjuhën shqipe në Kosovë. Përveç reagimit të Listës Serbe, asnjë prej mediave si “Zëri”, “Albanianpost”, “Dukagjini”, “GazetaPopulli” dhe “RtvPresheva”, nuk kanë njoftuar se kanë kontaktuar ndonjë prej institucioneve përgjegjëse në lidhje me këtë çështje.

KALLXO.com ka kontaktuar me KFOR-in në lidhje me këtë çështje. Ata kanë thënë se nuk kanë pasur asnjë kërkesë nga ana e FSK-së për një veprim të tillë. KFOR-i potencon se janë plotësisht të fokusuar në zbatimin e përditshëm të Rezolutës 1244 të OKB-së.

“KFOR mban një qëndrim të dukshëmnë terren dhe komandanti i KFOR-it është në kontakt të rregullt me të gjithë bashkëbiseduesit e tij kryesorë” – thuhet në përgjigjen e KFOR-it për KALLXO.com.

Lajmet e shpërndara nëpër media për hyrjen e trupave të FSK-së në veri të Kosovës i ka quajtuar dezinformata ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj.

“Këto lajme të rrejshme i cilësojmë dezinformata të rrezikshme me qëllim të krijimit të klimës së tensioneve dhe tendencës për dëmtimin e imazhit Republikës së Kosovës dhe të FSK-së në aspektin ndërkombëtar, por realisht qytetarët tanë pa dallim etnie kuptojnë drejt rolin mbrojtës të FSK-së dhe padyshim është e qartë edhe hapësira gjeografike që Ushtria e Republikës së Kosovës bashkë me partnerët ndërkombëtarë mbulon, pra çdo cep të shtetit” – ka shkruar Mehaj në në Facebook.

Tutje ai shtoi se Ministria e Mbrojtjes dhe FSK, të gjitha aktivitetet stërvitore dhe operacionale, i realizojnë në bashkëpunim dhe bashkërendim me autoritetet vendore dhe ndërkombëtare, respektivisht KFOR-in në përputhje me mandatet kushtetuese dhe ligjore.

“Ftojmë të gjithë qytetarët e vendit e posaçërisht qytetarët e pjesës veriore të vendit, që të mos bien pre e dezinformatave dhe lajmeve të rrejshme të cilat lansohen me qëllime të errëta” – thuhet tutje në reagim.

KALLXO.com ka dërguar pyetje në drejtim të ministrit për Komunitete dhe Kthim dhe kryetarit të Listës Serbe, Goran Rakiq, dhe në adresë zyrtare të Listës Serbe, për t’i pyetur nëse të njëjtit posedojnë prova apo video-incizime të automjeteve të FSK-së në veri por deri në publikimin e këtij artikulli i njëjti nuk është përgjigjur. 

KALLXO.com ka dërguar pyetje edhe në adresë të ZKM-së për ta pyetur nëse kanë marrë informacion nga ministri Rakiq në lidhje me këtë çështje, por deri në publikimin e artikullit të njëjtit nuk janë përgjigjur.