Ministri i Drejtësisë: Vetëm vitin e kaluar realizuam 33 ekstradime me Gjermaninë
Gjatë ditës së djeshme KALLXO.com kishte raportuar për një aksion të Policisë së Kosovës në bashkëpunim me atë të Gjermanisë dhe Prokurorinë Speciale.
Aksioni ishte duke u zhvilluar kundër veprës penale pastrim parash.
Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri ka thënë gjatë ditës së sotme se bashkëpunimi mes Kosovës dhe Gjermanisë është i suksesshëm dhe i vazhdueshëm.
Tutje ministri Tahiri ka thënë edhe se vetëm vitin e kaluar mes Gjermanisë dhe Kosovës janë realizuar 33 ekstradime.
Tahiri operacionin e ditës së djeshme i cili do të vazhdoj edhe ditët në vijim e ka quajtur të suksesshëm i cili rezultoi edhe me mbledhjen e dëshmive materiale si dhe ngrirjen e pasurisë për disa të dyshuar, lidhur me veprën penale “Pastrimi i parave”.
Sipas njoftimit të Ministrisë së Drejtësisë autorizimin për këtë operacion e ka dhënë ministri Tahiri.
“Bazuar në Marrëveshjen Dypalëshe në fuqi, autoritetet vendore në bashkëpunim me ato gjermane, realizuan një nga operacionet më të suksesshme, që rezultoi me mbledhjen e dëshmive materiale, si dhe ngrirjen e pasurisë për disa të dyshuar, lidhur me veprën penale “Pastrimi i parave””, thuhet në njoftim.
“Profili i Republikës tonë çdo ditë e më shumë është duke u fuqizuar në partneritet bilateral dhe multilateral kundër krimit, në rang me vendet e Bashkimit Evropian dhe më gjerë”, ka thënë Tahiri.
Ai shtoi se operacioni i djeshëm tregon thellimin e bashkëpunimit mes dy vendeve, dhe konfirmon edhe njëherë kredibilitetin e institucioneve kosovare karshi partnerëve tanë ndërkombëtar.