Mimoza Kusari-Lila paralajmëron padi ndaj Sllavko Simiqit dhe Berat Buzhalës

Shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka paralajmëruar padi ndaj ish-deputetit të Listës Serbe, Sllavko Simiq dhe gazetarit Berat Buzhala.

Kjo deklaratë e saj e dhënë sonte në ATV vjen pasi që Berat Buzhala ka publikuar në Gazetën Nacionale një audio-incizim, ku pretendohet që janë duke folur Mimoza Kusari – Lila dhe Sllavko Simiq.

Ky audio-incizim, siç ka thënë Gazeta Nacionale, ka ndodhur në qershor të vitit të kaluar, ku deputetja Kusari-Lila ka biseduar me ish-deputetin Simiq edhe për Millan Radojiçiqin, i cili është person i dyshuar për rastin e vrasjes së ish-politikanit serb të Kosovës, Oliver Ivanoviq.

Kusari-Lila ka thënë se nuk ka biseduar pesë herë me Radojiçiqin, ashtu siç dëgjohet të thotë në incizim Sllavko Simiq.

“Unë mund të konfirmoj me krejt vërtetësinë që nuk ka asnjë bisedë tjetër, përveç asaj që e kemi dokumentu ose e kemi konfirmu në fakt, atë 3-minutëshin që e kam dëgju Radojiçiqin duke u anku për hapësirën e ngushtuar nga kryeministri Kurti për të qëndru në Kosovë, as edhe një tjetër të vetme” – tha ajo.

Incizimi, sipas deputetes, është i paautorizuar prej Sllavko Simiqit dhe nuk është marrë asnjë konfirmim nga ajo lidhur me to prej Berat Buzhalës.

“…Sot përveç se është e prerë, domethënë është e cunguar, gjithashtu përmban edhe interpretime, edhe komente të vazhdueshme të Berat Buzhalës, për të cilat ne tash definitivisht do të ballafaqohemi në gjyq…” – u shpreh shefja e grupit parlamentar të LVV-së.

Ajo pretendon se Buzhala në ato publikime ka bërë nxitje të urrejtjes, fyerje, cenim të integritetit dhe personalitetit të saj si dhe ka keqpërdorur fjalën e lirë.

“Proces i domosdoshëm për të siguru se forma e tillë e shantazhit që këta mendojnë që mundet me pasë sukses të mos bëhet standard” – tha ajo tutje.

Lidhur me takimet me Sllavko Simiqin, ajo tha se ka kërkuar takim për të biseduar vetëm për projektligje e jo për takim me Radojiçiqin apo për marrëveshje në kuptimin e dallaveres.

“Sa ka qenë i suksesshëm ky bashkëpunim, të cilin tash po mundohet opozita me e kapitalizu, tregon edhe fakti sa projektligje të rëndësisë vitale kanë kalu – asnjë” – tha Kusari-Lila.

Millan Radojiçiq është po ashtu i dyshuar në rastin Brezovica e madje edhe është në listën e sanksioneve të Departamentit të Thesarit të SHBA-së.

Mimoza Kusari- Lila dje ka thënë se e ka vënë në dijeni kryeministrin Albin Kurti për bisedën që e ka pasur me Sllavko Simiqin dhe me Millan Radojiçiqin.

Ajo po ashtu ka thënë se këto biseda nuk kanë shkuar përtej agjendës së Kuvendit.