Lumir Abdixhiku rizgjidhet kryetar i LDK-së: Do ta ushtroj këtë detyrë me sjellje rugoviste

Kuvendi zgjedhor i LDK-së ka zgjedhur kryetar të partisë, Lumir Abdixhikun, për një mandat 4-vjeçar.

Abdixhiku mori votat unanime të delegatëve.

Pas rizgjedhjes si kryetar i partisë, Abdixhiku tha se do ta ushtrojë këtë detyrë me sjellje rugoviste.

“Ju faleminderit të gjithëve për këtë nder dhe përgjegjësi të jashtëzakonshme që ma dhatë sot. Unë tani kam një fjalë të përgatitur në konventën madhështore që do të mbahet me fillim nga ora 17:00 dhe do t’u kursej këtë kohë tani. Do të ushtroj këtë detyrë e këtë përgjegjësi me sjellje rugoviste në besim në LDK, në besim në anëtarësinë tonë”- shtoi ai.

Abdixhiku u rizgjodh kryetar i LDK-së pas mandatit të parë për rreth 2 vjet e gjysmë, si pasardhës i Isa Mustafës.

Në Kuvendin zgjedhor të së dielës pati edhe pakënaqësi, pasi anëtarit të LDK-së, Faton Bislimit nuk iu aprovua kandidatura për kryetar të partisë.

Gjatë punimeve të Kuvendit atij s’iu dha fjala. Bislimi theksoi se vendimi ndaj tij është anti-statutar.

“Vendimi i sotëm për të mos lejuar kandidaturën është anti-statutar, sipas vlerësimit tim”, por sipas tij, “kjo nuk do të thotë që e pamundëson vazhdimin e punës sime për të mirën e LDK-së dhe qytetarëve të Kosovës”.

Në zgjedhjet e fundit parlamentare të 2021-ës në Kosovë, LDK-ja u rendit e treta, duke mbetur kështu në opozitë pas PDK-së, pasi Lëvizja Vetëvendosje fitoi zgjedhjet me mbi 50 për qind të votave.

LDK-ja paraprakisht ishte në qeverisje me LVV-në, deri në vitin 2020, kur përmes një mocioni mosbesimi të iniciar nga vetë LDK-ja, u rrëzua qeveria e tyre e përbashkët me kryeministër Albin Kurtin.