Ilustrim - Foto: KALLXO.com
27-vjeçari bie nga kulmi i një objekti në Babush, dërgohet në QKUK me lëndime të rënda
Një person 27-vjeçar ka pësuar lëndime të rënda trupore pasi ka rënë nga kulmi i një objekti në fshatin Babush, në magjistralen Ferizaj–Prishtinë.
Rastin për KALLXO.com e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë Rajonale të Ferizajt, Kanun Veseli.
Sipas Veselit, më 20.05.2026, rreth orës 15:40, Policia ka pranuar informatën se një person kishte rënë nga pullazi i një objekti dhe kishte pësuar lëndime trupore.
“Më 20.05.2026, rreth orës 15:40 kemi pranuar informatën se në magjistralen Ferizaj-Prishtinë në fshatin Babush, te një objekt, një person kishte rënë nga kulmi (pullazi) dhe kishte pësuar lëndime trupore.”- deklaroi Veseli.
Ai tha se njësitë policore kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes dhe kanë siguruar lokacionin, ndërsa i lënduari fillimisht është dërguar në Emergjencën e Ferizajt.
“Personi i lënduar ishte transportuar fillimisht në Emergjencën e Ferizajt, e më pas, për shkak të lëndimeve të rënda trupore, i lënduari, 27-vjeçar është dërguar për trajtim të mëtejmë në QKUK në Prishtinë.”- tha ai.
Sipas Policisë, në vendin e ngjarjes kanë dalë hetuesit policorë dhe inspektorët e punës për të ekzaminuar rrethanat e incidentit.
“Lidhur me rastin janë njoftuar hetuesit e stacionit policor, të cilët kanë dalë në vendin e ngjarjes për ekzaminim të rrethanave të incidentit, si dhe inspektorët e punës.”- deklaroi Veseli.
Ai shtoi se për rastin është njoftuar edhe prokurori i shtetit, ndërsa rasti është cilësuar “Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës”.