Ushtari i KFOR-it në Zveçan duke u munduar ta fikë gazin lotsjellës. FOTO: KALLXO.com

Lista Serbe u bën thirrje qytetarëve të mos e rrezikojnë sigurinë e ushtarëve të KFOR-it

Lista Serbe u ka bërë thirrje qytetarëve që të mos rrezikojnë sigurinë e ushtarëve të KFOR-it.

Kjo thirrje vjen pas dhunës së ushtruar nga persona të shumtë kundër forcave të KFOR-it në komunat e veriut të Kosovës, sidomos në Zveçan.

“Lista Serbe u bën thirrje qytetarëve që të mos rrezikojnë sigurinë e ushtarëve të KFOR-it, sepse kushdo që e bën këtë punon kundër interesave të popullit serb”- ka thënë Lista Serbe.

Tutje në komunikatën e LS-së thuhet se pasi mësuan nga mediat se sonte është hedhur një mjet shpërthyes ndaj ushtarëve të KFOR-it në afërsi të ndërtesës së Komunës së Zveçanit, përfaqësuesit e Listës Serbe janë nisur menjëherë në vendngjarje dhe në një bisedë me përfaqësuesit e KFOR-it në terren kanë marrë vesh se “me shumë mundësi ishte një fishekzjarr”.

RTK raportoi se në orët e mbrëmjes është dëgjuar një shpërthim në Zveçan.

Sipas raportimit, një mjet shpërthyes është hedhur në drejtim të trupave të KFOR-it, të cilët janë duke qëndruar në Zveçan.

Zhvillimet në veri, dyshime për shpërthim në Zveçan