Lehtësim apo komplikim, Qeveria synon ta zgjidhë 'ngërçin zgjedhor' në veri me peticion qytetar

Ndonëse Qeveria e Kosovës po e konsideron peticionin mënyrë të duhur që mundëson mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme në katër komunat në veri, shoqëria civile e sheh të komplikuar këtë mekanizëm. Njëjtë thotë edhe kryetari i njërës komunë veriore.

Procesi për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme në katër komunat në veri të Kosovës pritet të determinohet gjatë ditëve në vijim, u paralajmërua para pak kohësh.

Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal ka publikuar në platformën e konsultimeve publike Udhëzimin Administrativ i cili ua mundëson qytetarëve të komunave shkarkimin e kryetarëve të tyre përmes peticionit.

Në Udhëzim thuhet se Ministria nga momenti i pranimit të kërkesës kërkon nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve numrin e votuesve të regjistruar për komunën përkatëse, mbi bazën e të cilit përllogaritet numri minimal i nevojshëm i nënshkrimeve prej 20% përqind.

Ndërsa në nenin 5, thuhet se kjo iniciatië qytetare duhet të mbledhë numrin e kërkuar të nënshkrimeve, më së largu 30 ditë nga pajisja me dokumentacionin e nevojshëm.

Ky udhëzim administrativ pritet të finalizohet si projekt deri në fund të muajit.

“Si ministri dhe si ministër kam mbuluar përgjegjësinë time duke filluar me udhëzimin administrativ, i cili parasheh të drejtën e qytetarëve për mbledhjen e nënshkrimeve për largimin e kryetarëve nga detyra”, tha ministri i MAPL, Elbert Krasniqi për media pas përurimit të punimeve për zgjerimin e një rruge në Gjakovë, më 21 gusht.

“Kjo nuk është për veriun, kjo mund të aplikohet nesër edhe për kryetarin e Gjakovës apo cilindo kryetar të Kosovës”, shtoi ai.

Zgjedhjet e parakohshme në katër komunat në veri të Kosovës, Mitrovicë të Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan, janë kërkuar në vazhdimësi,nga komuniteti ndërkombëtar për shtensionim të situatës në veri, pas tensioneve të majit.

Por, çështja e peticionit si formë drejt këtyre zgjedhjeve, po shihet nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), më e komplikuar sesa për t’u rregulluar me një Udhëzim Administrativ.

Hulumtuesi i KDI-së, Eugen Cakolli konsideron që ekziston rrezik për shfrytëzimin e këtij mekanizmi, pasi, sipas tij, nuk ka asnjë garancë që pjesëmarrja në procesin e votimit për largimin e kryetarëve do të pasohet nga pjesëmarrje në zgjedhjet e jashtëzakonshme.

“Në një situatë të tillë ekziston rrezik që komuniteti serb i dirigjuar nga Lista Serbe që ka ndikim nga Beogradi të bojkotojë procesin e ardhshëm zgjedhor qe do të sillte vendin në një situatë po thuajse të njëjtë sikur e kemi tani”- ka thënë ai për KALLXO.com.

Ai ka thënë se ka pasur diskutime se sa shpesh mund të përdoret një mekanizëm i tillë si peticioni por, kjo çështje nuk mund të behet vetëm me udhëzim administrativ pasi ekzistojnë dy ligje në fuqi.

“Pavarësisht që ka pasur diskutime qe sa shpesh mund të përdoret një mekanizëm i tillë, kjo nuk mund të bëhet vetëm më udhëzim administrativ e Ligji për vetëqeverisjen lokale dhe Ligji për zgjedhjet lokale si ligje me interes vital nuk mund të ndryshohen pa votat e komunitetit serb, kështu që Lista Serbe e ka të mundur bllokimin e një procesi që do ta fuste pjesën veriore në cikle të pa fundme të votimit për shkarkim, zgjedhje etj”- ka thënë ai.

Sipas Ligjit për Vetëqeverisje Lokale, në zgjedhje të parakohshme për kryetar të komunës mund të shkohet në rast se kryetari aktual jep dorëheqje; në rast se qytetarët kërkojnë shkarkimin e kryetarit të komunës përmes një peticioni të nënshkruar nga 20 për qind e votuesve të komunës përkatëse; si dhe në rast se kryetari i komunës nuk paraqitet në vendin e punës më shumë se një muaj, pa arsye.

Cakolli për KALLXO.com tha se beson që është shumë më e udhës që kryetarët të ofrojnë dorëheqje që të mundësohet një proces i ri.

Çështjen e peticionit e konsideron të komplikuar edhe kryetari i Zubin Potokut, Izmir Zeqiri.

Kryetari që vjen nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), ka thënë se më të dinjitetshme e sheh dorëheqjen.

“Mendimi im ka qenë dhe do të kishte me qenë të kishte një marrëveshje politike dhe dakordim të përgjithshëm. Nëse pyetem a shkarkimi apo dorëheqje unë shpesh e kam shpejgu që më e dinjitetshme është për dorëheqje, shkarkimin e shoh si të komplikuar”- ka thënë ai për KALLXO.com.

KALLXO.com për të marrë një qëndrim për këtë çështje ka kontaktuar edhe kryetarët e komunave tjera në veri të Kosovës.

Erden Atiq kryetari i Mitrovicës së Veriut, Lulzim Hetemi i Leposaviqit dhe kryetari i Zvçanit, Ilir Peci deri në publikimin e këtij artikulli nuk i janë përgjigjur interesimit të KALLXO.com për këtë çështje.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha më 26 korrik se janë duke u përgatitur për zgjedhje në komunat: Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan, por se ato nuk mund të mbahen pa u shtensionuar situata në këtë zonë.

Në anën tjetër, Lista Serbe, pas fillimit të tensioneve në veri, ka deklaruar se do të marrë pjesë në zgjedhje, që eventualisht do të mund të mbahen për komunat në veri, kur t’i plotësohen dy kushte; forcat speciale të Policisë së Kosovës duhet të tërhiqen nga veriu i Kosovës, dhe që të formohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe.

Lista Serbe i ka bojkotuar zgjedhjet e mbajtura në prill për kryetarë të komunave në veri – Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq.

Prej 29 majit serbët lokalë në tri komunat veriore, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, filluan protestat për të kundërshtuar hyrjen e kryetarëve shqiptarë në ndërtesat komunale.

Ndërsa, zgjedhjet e reja në këto komuna janë obligim që dalin nga një marrëveshje mes zëvendëskryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimi, dhe të dërguarit të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, për shtensionimin e situatës në veri.

Pas takimit që u zhvilluar në Bratisllavë, BE bëri të ditur se palët janë dakorduar për zvogëlimin e menjëhershëm të prezencës së Policisë brenda dhe përreth ndërtesave komunale, vlerësimin e vazhdueshëm të gjendjes për zvogëlim të mëtejmë të kësaj prezence, nxitje të zgjedhjeve të parakohshme lokale si dhe vendosjen e bazës së nevojshme ligjore.

Pasi Qeveria nisi procedurat ligjore për largimin e kryetarëve të zgjedhur në veri, BE-ja ka treguar gatishmëri që të ofrojë mbështetje ligjore dhe teknike për mbajtjen e zgjedhjeve atje.

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier tha se mbajtja e zgjedhjeve në katër komunat veriore të banuara me shumicë serbe është një nga pikat që është identifikuar nga BE-ja si diçka që mund të shtensionojë situatën në këtë pjesë të vendit, dhe se SHBA-ja pajtohet me këtë kërkesë.

Hovenier tha se SHBA-ja pret që serbët që jetojnë në veri, kësaj radhe, të marrin pjesë në zgjedhje.

Prej fillimit të tensioneve që kulmuan më 29 maj në protesta të dhunshme, vendet perëndimore kanë kërkuar që Kosova të ndërmarrë hapa për uljen e tensioneve, ndërkaq Serbia të sigurojë pjesëmarrjen e pakushtëzuar të serbëve në zgjedhjet që do të shpalleshin.