Qeveria dhe BE pajtohen për shtensionim të situatës në veri, këta janë hapat

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi dhe emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, janë marrë vesh për shtensionim të situatës në veri përmes disa hapave.

Në një përgjigje për KALLXO.com, BE thotë se ata janë dakorduar për zvogëlimin e menjëhershëm të prezencës së Policisë brenda dhe përreth ndërtesave komunale, vlerësimin e vazhdueshëm të gjendjes për zvogëlim të mëtejmë të kësaj prezence, nxitje të zgjedhjeve të parakohshme lokale si dhe vendosjen e bazës së nevojshme ligjore.

Qeveria përmes një komunikate thotë se po tregon gatishmёrinё e saj pёr tё kontribuar nё shtensionimin e situatës dhe mosndёrmarrjen e veprimeve qё mund tё eskalojnё situatёn nё veri duke ulur menjëherë prezencën policore për 25% nё dhe rreth ndёrtesave komunale.

Tutje thuhet se Policia e Kosovës bashkё me EULEX-in dhe KFOR-in, sipas nevojës, do të vlerёsojnё gjendjen e sigurisё, nё veçanti pёr tё shikuar mundёsinё pёr zvogёlim të mëtejmë.

BE dhe Qeveria konfirmojnë se Lajçak ka ftuar dy kryenegociatorët në Bruksel javën e ardhshme.

Sipas BE-së ky takim do të bëhet për të vazhduar diskutimet mbi zbatimin e Marrëveshjes së re për Rrugën e Normalizimit dhe aneksin e zbatimit të saj, me shpresën që palët të bien dakord për hapat e ardhshëm që mundësojnë zbatimin e plotë të marrëveshjes pa vonesë të mëtejshme.

“Qeveria e Kosovёs pёrmes njё deklarate publike mbёshtet mbajtjen e zgjedhjeve tё parakohshme nё 4 komunat nё veri tё vendit dhe atё pas stinёs sё verёs. Kosova shpreh pёrkushtimin pёr sigurimin e bazёs sё nevojshme ligjore pёr tё mundёsuar organizimin e kёtyre zgjedhjeve” – thuhet në komunikatë.

Këto veprime, sipas Qeverisë, do tё finalizohen brenda njё periudhe dyjavore.

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi dhe emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, kanë pasur një takim jozyrtar në Bratisllavë më 10 korrik.

Tensionet në veri të Kosovës nisën më 26 maj 2023, kur kryetarët e rinj të Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut, hynë në ndërtesat komunale me asistimin e Policisë. Për të kundërshtuar këtë, serbët kanë mbajtur protesta.

Më 29 maj, nga përplasja e protestuesve me pjesëtarët e KFOR-it kanë mbetur të lënduar dhe plagosur 30 pjesëtarë të KFOR-it.

BE dhe SHBA kanë kërkuar shtendosje të situatës, tërheqje të Policisë së Kosovës nga objektet komunale si dhe zgjedhje të reja në komunat veriore.