LDK-Osmani: një marrëveshje mes heshtjes dhe entuziazmit

Dy figura të spikatura të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami dhe Avdullah Hoti, nuk morën pjesë në mbledhjen e partisë ku u arrit marrëveshja që në zgjedhjet e 7 qershorit të garohet bashkë edhe me ish-bashkëpartiaken e tyre, Vjosa Osmani. Nëse ata do ta mbështesin këtë vendim me votë, pritet të qartësohet në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm, e cila do të mbahet të shtunën, më 09.05.2026.

Pas këtij zhvillimi, Hoti reagoi në Facebook duke publikuar logon e LDK-së me mbishkrimin “LDK mbi të gjitha!”, ndërsa Bajrami nuk ka dhënë asnjë qëndrim publik nëse e përkrah një vendim të tillë. KALLXO.com ka tentuar të marrë qëndrime nëse e mirëpresin Osmanin, por ata nuk janë përgjigjur deri në publikimin e këtij artikulli.

KALLXO.com ka kërkuar qëndrime edhe nga ish-deputetët e LDK-së, Agim Veliu, Arben Gashi dhe Driton Selmanaj. Veliu nuk është përgjigjur, Gashi ka hezituar të flasë kur është pyetur dy ditë më parë, ndërsa Selmanaj ka bërë të ditur se do të dalë me një qëndrim publik.

Osmani ka qenë një nga figurat e spikatura të LDK-së. Megjithatë, pas shkarkimit të saj në vitin 2020, partia u dëmtua. Ajo u shkarkua mu për arsyen se nuk kishte votuar mocionin për prishjen e koalicionit qeverisës LVV-LDK, e as për Qeverinë Hoti.

Në vitin 2020, nga 123 anëtarë sa kishte gjithsej Këshilli i Përgjithshëm i LDK-së, 95 prej tyre kishin marrë pjesë në votimin elektronik ku Osmani ishte shkarkuar nga pozita e nënkryetares së partisë dhe anëtares së Kryesisë. Prej tyre pro shkarkimit të Osmanit patën votuar 70 anëtarë, 16 kundër dhe 9 kanë abstenuar. Në vend të saj, u vendos Avdullah Hoti.

Kundër shkarkimit të saj kishin votuar Haxhi Avdyli, Xhafer Tahiri, Fatmir Rexhepi, Lutfi Haziri, Valentina Bunjaku dhe Ardian Shala. Dy të parët tash pritet të hyjnë në garë së bashku me Osmanin.

Sidoqoftë, sa ishte presidente, Vjosa Osmani përplasjet me fjalë më së shpeshti i ka pasur me Hykmete Bajramin dhe Avdullah Hotin.

“Hoti është njeriu më jorelevant, në të cilin nuk dua të humbë asnjë sekondë. Nëse doni ta bëni si pyetje tuajën se a është zbatuar marrëveshja a po jo, vetëm Serbia e akuzon Kosovën për moszbatim të marrëveshjeve”- pati thënë Osmani për Hotin, e pyetur në një konferencë për media më 17.09.205, në lidhje me një reagim të tij për qëndrimin e atëkohë presidentes ndaj Marrëveshjes së Washingtonit.

Në fillim të vitit 2026, Hoti u përgjigj me “jo” në pyetjen nëse do ta votojë Vjosa Osmanin nëse propozohet për presidente të Kosovës.

“Jo. Jo sepse është historiku i pesë viteve të fundit që me ka dhënë të drejtë për atë qëndrim që kam pasë në vitin 2021. Nuk i kemi bërë shërbim të mirë vendit, por tani ajo është histori”- tha Hoti për T7.

Kurse, Hykmete Bajrami, pati deklaruar se Vjosa Osmani nuk ka vend në LDK, duke e cilësuar atë si përgjegjësen kryesore për rënien e partisë në zgjedhjet e vitit 2021.

“Sipas meje Vjosa Osmani është personi fajtor kryesor pse LDK-ja në vitin 2021 ka rënë në 12 % dhe ju rikujtoj deklaratën e saj se nëse unë nuk jam në LDK nuk jam në politikë. Vjosa Osmani nuk ka vend në LDK. Nëse do të kthehej në LDK, LDK-ja do t’i ofendonte, dhe në një lloj mënyrë do t’i përjashtonte 112 mijë votuesit e zgjedhjeve të vitit 2021, votues të besueshëm që kanë qenë me LDK në kohë të mira e të vështira…”- ka deklaruar Bajrami në Debat Plus më 02.11.2025.

Bajrami kishte thënë një vit më parë që nuk ka votë për Osmanin.

“Kështu që me dëshirë kurrë votë për Vjosa Osmanin nuk ka. I ka bërë dëm jashtëzakonisht të madh LDK-së”- pati deklaruar Bajrami.

Edhe pse ujdia mes palëve tashmë është arritur, ka mbetur vetëm hapi i fundit formal: Këshilli i Përgjithshëm i LDK-së pritet ta votojë bashkëpunimin me Vjosa Osmanin për garën në zgjedhjet e parakohshme të 7 qershorit. 

Ky zhvillim shënon një “kthesë ironike politike”, pasi gjashtë vite më parë, ishte po ky mekanizëm partiak që kishte votuar për shkarkimin e Osmanit nga të gjitha pozitat drejtuese në LDK. Tash, i njëjti organ pritet të japë vulën përfundimtare.

Lidhur me këtë lëvizje, ish-kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, i cili në vitin 2020 kishte iniciuar procesin e shkarkimit të Osmanit, në një prononcim për KALLXO.com, i është shmangur një vlerësimi të drejtpërdrejtë mbi zhvillimet e fundit.

Mirëpo, ai ka theksuar se për të mbetet jetike ajo se çfarë do t’i ofrojë Kosovës, qoftë LDK me Vjosa Osmanin apo subjektet e tjera, pasiqë sipas tij nuk e ka bërë të ditur askush.

“E kam vështirë të jap një vlerësim. Jo se nuk e kam vlerësimin tim por nga fakti që fushata ka filluar dhe nuk më takon të bëhem pjesë e saj. Për vetën time e rëndësishme është çfarë subjektet politike, përfshirë edhe LDK-në e shartuar me Vjosën, i ofrojnë shtetit të Kosovës për tu stabilizuar dhe integruar. Këtë nuk e ka bërë të ditur askush!”- tha Mustafa në një përgjigje për KALLXO.com më 06.05.2026.

Edhe pse kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka thënë se janë pajtuar me Osmanin, për të garuar në një listë të përbashkët, kur u pyet nëse Osmani do të rikthehej në LDK si anëtare e partisë apo do të bashkëpunonte me të përmes një partie të veten, Abdixhiku nuk u përgjigj.

“Votuam dhe u dakorduam që të formalizojmë tash e tutje, në bashkëpunim me Vjosa Osmanin, garimin e përbashkët në zgjedhjet e ardhshme. Po për këtë, më jepni edhe disa ditë t’i finalizoj diskutimet edhe me zonjën Osmani, për të përfunduar në një votim formal në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm”- tha Abdixhiku pas mbledhjes së Kryesisë më 05.05.2026.

Përndryshe, Vjosa Osmani e cila nuk arriti të zgjidhej presidente për një mandat të dytë, pasiqë nuk mori mbështetjen as nga partia në pushtet Vetëvendosje me të cilën kishte garuar në zgjedhjet e vitin 2021, qysh herët ka nisur fushatën për zgjedhjet e verës. Madje, ajo ka prezantuar edhe një nga emrat që do të garojë për deputete së bashku me të –  Fahrije Hotin.

Gjatë gjithë mandatit të saj si presidente, Vjosa Osmani u kritikua vazhdimisht për afërsinë politike me kryeministrin Albin Kurti. Megjithatë, në fund të këtij mandati, Kurti nuk e propozoi atë për një mandat të dytë si presidente – dhe pikërisht këtu nisi përçarja.

Këshilli i Përgjithshëm i LDK-së mori këtë vendim pas propozimit të Isa Mustafa, i cili atëkohë kishte thënë se Osmani ka shkelur statutin e partisë, kur është shprehur kundër qeverisë së udhëhequr nga Avdullah Hoti.

Pas shkarkimit, Osmani, pati reaguar se, ajo u diferencua nga partia e tij sepse siç tha, nuk ndryshoi qëndrimet e saja.

“Thashë kurrë me të korruptuarit, dhe ashtu mbeti; Thashë do t’i sjellim Kosovës ndryshimin e jo mendësinë e vjetër në pushtet, dhe ashtu mbeti; Thashë se nuk do ta përkrahë asnjë tregtar të kufijve e të sovranitetit, dhe ashtu mbeti.  Thashë për Kosovën do të kërkojmë barazi nëpërmjet reciprocitetit, dhe ashtu mbeti; Thashë se askujt nuk do t’i punojmë pas shpine, dhe ashtu mbeti”- kishte shkruar Osmani në Facebook më 20.06.2020.

Atëkohë, në mars të vitit 2020, Osmani kishte shprehur pakënaqësitë e saja lidhur me prishjen e koalicionit qeverisës mes LDK-së dhe Lëvizjes Vetëvendosje. Gjatë mocionit të mosbesimit të ngritur nga LDK-ja më 25.03.2020 ndaj qeverisë të udhëhequr nga Albin Kurti, Osmani pati votuar kundër – gjë që nxiti pakënaqësinë te kryetari i LDK-së.

Ajo ishte shprehur kundër edhe qeverisë së re të formuar nga LDK-ja, që udhëhiqet nga Avdullah Hoti. Madje, në seancën e mbajtur më datë 03.06.2020, kur ishte votuar për qeverinë e udhëhequr nga LDK-ja, Osmani nuk mori fare pjesë.

Në vitin 2019, LDK e zgjodhi atë si kandidaten e saj për kryeministre, një garë zgjedhore që kjo parti e humbi ndaj Lëvizjes Vetëvendosje të Kurtit me një diferencë të vogël.

Siç u shpjegua më lartë, prishja me partinë e saj erdhi pas pak kohësh, kur ajo doli kundër rrëzimit të Qeverisë së Kurtit në mes të pandemisë së COVID-19.

Më pas ajo krijoi subjektin e saj politik, Guxo, i cili kandidoi në koalicion me Lëvizjen Vetëvendosjen në zgjedhjet e shkurtit 2021.

Një muaj më vonë, me LVV-në në pushtet, Osmani u zgjodh presidente.

Osmani edhe në vitin 2014 kishte shprehur pakënaqësinë e saj lidhur me arritjen e marrëveshjes së koalicionit qeverisës ndërmjet LDK-së dhe PDK-së duke mos e votuar qeverinë e udhëhequr atëkohë nga kryetari i partisë së saj, Isa Mustafa.