LDK kërkon që Kuvendi të mblidhet të hënën për ta votuar buxhetin

Shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, ka njoftuar se kanë bërë kërkesë në Kuvendin e Kosovës për seancë të jashtëzakonshme për t’u votuar buxheti 2021 dhe miratimin e marrëveshjeve ndërkombëtare.

Seanca është propozuar të mbahet të hënën më 28 dhjetor, në ora 11:00.

Gashi ka shkruar në Facebook se pas kësaj shkohet në zgjedhje.

“Me kërkesë të mbi 40 deputetëve nënshkrues, ditën e Hënë në ora 11:00 mbahet seanca e jashtëzakonshme për aprovimin e ligjit për ndarjet buxhetore, po ashtu në rend dite është edhe miratimi i marrëveshjeve ndërkombëtare që janë në procedurë. Pastaj shkojmë në zgjedhje!”, ka shkruar ai.

Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar Qeverinë e Kosovës me kryeministër Avdullah Hotin e LDK-së. Kushtetuesja ka urdhëruar edhe shkuarjen në zgjedhje brenda 40 ditësh.

Para shpërndarjes së Kuvendit, Qeveria po kërkon të votohet buxheti për vitin 2021 dhe marrëveshjet ndërkombëtare.