Votimi në Asamblenë Parlamentare të KiE-së, LDK: Moment historik i integrimit të shtetit të Kosovës

Lidhja Demokratike e Kosovës i është gëzuar lajmit të votimit në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, për anëtarësimin e  Kosovës në Këshilin e Evropës.

Kjo parti konsideron se ky është moment historik i konsolidimit dhe integrimit të shtetit të Kosovës përkrah shteteve demokratike perëndimore.

LDK mirëpret edhe aprovimin final nga Komiteti i Ministrave të Jashtëm të shteteve anëtare të KE-së në maj të këtij viti.

“LDK në veçanti falënderon dhe i është mirënjohëse Partive Popullore Evropiane në këtë vendim historik për t’u njohur kjo e drejtë qytetarëve tanë. E drejta e Kosovës dhe popullit tonë për vend të barabartë mes popujve dhe institucioneve evropiane është e drejtë historike. Anëtarësimi ynë i shërben demokracisë dhe lirive njerëzore në rajon dhe më gjerë”, thuhet në komunikatën e kësaj partie.

Në frymën e kësaj, LDK zotohet se do të angazhohet fuqishëm në anëtarësimin e Kosovës në të gjitha mekanizmat ndërkombëtarë, në BE e në NATO.

Edhe kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka falënderuar të gjithë ata që me votën e tyre e shtynë përpara Kosovën drejt anëtarësimit në Këshillin e Europës.

Ai ka shprehur edhe mirënjohje për të gjithë ata që kanë punuar me vite të tëra për këtë “sukses të rëndësishëm për vendin tonë”.

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, nga ane e tij ka vlerësuar se përkrahja e sotme në Asamblenë e Këshillit të Europës, është një hap kolosal në afirmimin ndërkombëtar të pozicionit të Republikës së Kosovës, si dhe “një energji dhe momentum i ri për caqet e së ardhmes”.

“Shteti ynë i ri, qytetarët e Kosovës, kanë vendosur themelet e forta të demokracisë, të drejtave dhe lirive të njeriut”, ka shkruar ai në Facebook.

Ky përkushtim i rrënjosur në frymën e Kushtetutës e “shpirtin e qytetarëve”, sipas tij, u vlerësua nga shtetet anëtare të Këshillit të Evropës.

“Zoti e bekoftë Republikën e Kosovës! Zoti i bekoftë miqtë e saj!”, ka uruar Haradinaj.

Reagime pas votimit të sotëm në Strasburg kanë bërë edhe liderët institucional të Kosovës dhe Shqipërisë.

Me mbi 2/3 të votave, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës miratoi më 16.04.2024 Raportin që i hapë rrugë anëtarësimit të Kosovës në këtë organizatë.

Nga 171 delegatët që morën pjesë në votim, 131 votuan për, 29 kundër dhe 11 abstenuan.

Votimi i sotëm i hap rrugën votimit përfundimtar nga ministrat e Punëve të Jashtme të vendeve anëtare në muajin maj.