
Lajçak takohet me Cholletin dhe Escobarin: Kemi të njëjtin lexim të situatës në Ballkanin Perëndimor
Emisari i Bashkimit Europian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak ka zhvilluar një takim me këshilltarin e Departamentit të Shtetit të SHBA-së, Derek Chollet dhe të dërguarin amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.
Lajçak ka thënë se është e rëndësishme të rikonfirmohet se Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe BE-ja janë në të njëjtën linjë sa i përket Ballkanit Perëndimor.
“Gjithmonë është e dobishme të rikonfirmojmë se ne ndajmë të njëjtin lexim të situatës në Ballkanin Perëndimor dhe jemi në të njëjtën linjë në lidhje me rrugën përpara” – ka shkruar Lajçak në rrjetin social X.
Had dinner among good friends in New York with @CounselorDOS Derek Chollet and DAS Escobar. Always useful to reconfirm that we share the same reading of the situation in the Western Balkans and are on the same line regarding the way forward. pic.twitter.com/6xmlc6ACG0
— Miroslav Lajčák (@MiroslavLajcak) September 19, 2023
Kryeministri Albin Kurti të hënën tha se Emisari i Bashkimit Europian për dialogun Kosovë – Serbi, Mirosllav Lajçak kishte shkuar në takimin trepalësh të 14 shtatorit me një skenar të përgatitur kohë më parë.
“Në takimin e dytë atë trilateral me Vuçiqin, u ekspozova para një skenari të cilin zotëri Lajçak duket që e kishte dizajnuar kohë më parë” – kishte thënë Kurti në një konferencë për media.
Sipas tij, Vuçiq dhe Lajçak kanë reaguar me të njëjtin mendim shpërfilljeje të koordinuar ndaj propozimit të tij.
“Presidenti i Serbisë dhe Miroslav Lajçak reaguan me të njëjtin mendim dhe me të njëjtën shpërfillje të koordinuar. Të dytë thanë se ky plan është jorealist dhe rrjedhimisht e vetmja rrugë përpara është zbatimi i pasekuencuar i pikës së negocimit të statutit të një asociacioni të komunave” – tha kryeministri Kurti.
Më 14 shtator në Bruksel u takuan kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, i ndërmjetësuar nga Borrell dhe emisari Mirosllav Lajçak.
Takimi u përmbyll pa progres.
Nga BE thanë se progres nuk pati për shkak të qëndrimeve të Kurtit.
Ndërsa Kurti dhe Vuçiq, në konferenca të ndara për media, akuzuan njëri-tjetrin për mungesën e rezultateve në takim.
Kurti tha se “kushtëzimi i Serbisë” për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe “është shndërruar në qëndrim të emisarëve të BE-së”.
Sipas Vuçiqit, Kurti, thjesht, “i shmanget formimit të Asociacionit… ky është thelbi i gjithçkaje”.