Foto: Denis Sllovinja

Kuvendi i Kosovës paralajmëron rezolutë për situatën në Ukrainë

Kryetarja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila ka thënë se shefat e Grupeve Parlamentare do të koordinohen për krijimin e një rezolute që ka të bëjë me situatën e krijuar pas sulmeve të Rusisë në Ukrainë.

Kusari-Lila tha se kjo rezolutë do të kërkojë nga mekanizmat e BE-së që të bëhet dallimi mes shteteve që u rreshtuan pro BE dhe NATO-s dhe vendet që refuzuan të bëjnë një gjë të tillë, duke përmendur Serbinë. Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq pati thënë se nuk është koha për të vendosur sanksione ndaj Rusisë duke shtuar se i jep mbështetje të plotë integritetit territorial të Ukrainës.

“Është një propozim që Kuvendi të miratojë një rezolutë në frymën e ngjarjeve që kanë përfshirë gjithë botën me agresionin rus në Ukrainë dhe unifikimin e shteteve të BE dhe NATO-s ndaj këtij agresioni gjithashtu të prezantojmë qëndrimin e Kuvendit të unifikuar me një rezolutë të përbashkët e cila gjithashtu synon të kërkojë  nga mekanizmat e bashkimit evropian që të bëhet qartë dallimi mes shteteve që u rreshtuan pro BE-s dhe NATO-s dhe vendet që refuzuan të bëjnë një gjë të tillë siç është rasti i Serbisë”, tha Kusari-Lila pas mbledhjes së Kryesisë.

Kusari-Lila shtoi se AAK ka propozuar debat lidhur me çështjen e sigurisë, por ka mbetur në nivelin e Grupeve Parlamentare që të vendoset.

Ajo shtoi se në këtë mbledhje u vendos që seanca e radhës e Kuvendit të mbahet me 3 mars (e enjte) në ora 10:00.

Po ashtu Kusari-Lila njoftoj se Kuvendi më 5 mars për nder të Epopesë së UÇK-së, do të mblidhet në seancë solemne në ora 12:00.

Dita e pestë e luftës në Ukrainë – Zhvillimet e fundit