Aleksandar Vuçiq - Foto: REL

Vuçiq: Serbia i jep mbështetje të plotë integritetit territorial të Ukrainës, nuk është koha për sanksione kundër Rusisë

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq është deklaruar pas mbledhjes së mbajtur me Këshillin e Sigurisë për situatën e krijuar në Ukrainë.

Vuçiq ka thënë se nuk është koha për të vendosur sanksione ndaj Rusisë duke shtuar se i jep mbështetje të plotë integritetit territorial të Ukrainës, raporton b92.

“Serbia respekton të drejtën ndërkombëtare. Serbia i kupton mirë nevojat e saj dhe i respekton miqësitë tradicionale, kujtojmë vitet 2015 dhe 1999. Ne nuk nxituam por edhe nxituam për të marrë një vendim. Ne bëmë më të mirën e mundshme për vendin tonë dhe e dimë se ky vendim nuk do t’i pëlqejë askujt plotësisht”, ka deklaruar Vuçiq.

Ai shtoi se Serbia ka marrë pjesë në shumë luftëra dhe ka theksuar se paqja ishte shumë e nevojshme.

Më pas Vuçiq ka lexuar konkluzionet që janë bërë pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë, të cilat janë si në vijim:

  1. Serbisë i vjen keq për gjithçka që po ndodh në Evropën Lindore, ne i shohim rusët dhe ukrainasit si një popull vëllazëror;
  2. Serbia është e përkushtuar ndaj parimit territorial;
  3. Duke u nisur nga neni 16 i Kushtetutës së Serbisë, një nga parimet themelore është respektimi i fjalëpërfjalshëm i integritetit territorial të shteteve të tjera;
  4. Serbia gjithmonë ka ndjekur një politikë të jashtme të përgjegjshme dhe parimore, e ka paguar shtrenjtë;
  5. Serbia do të mbështesë plotësisht integritetin territorial të Ukrainës.

Sulmi i Moskës ndaj Ukrainës ka nisur në orët e para të 24 shkurtit. Raketat janë nisur në aeroporte dhe infrastrukturë ushtarake në rreth 25 qytete.

Presidenti rus, Vladimir Putin ka urdhëruar “operacion special” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Veprimi i Kremlinit ka nxitur zemërim dhe është dënuar në gjithë botën.

Shtetet e Bashkuara dhe aleatët janë përgjigjur me sanksione të ashpra kundër Moskës.

Kosova po ashtu i’u bashkua ShBA-së dhe Evropës për sanksione ndaj Rusisë.