Foto: Facebook/ Mimoza Kusari

Kusari-Lila: Para 4 muajve e njoftova Kurtin për bisedën me Radojiçiqin, nuk ka kërkuar dorëheqjen time

Shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Mimoza Kusari- Lila ka thënë se e ka vënë në dijeni kryeministrin Albin Kurti për bisedën që e ka pasur me ish-deputetim e Listës Serbe, Sllavko Simiq dhe me Millan Radojiçiqin.

Kusari-Lila ka thënë se Kurti nuk i ka kërkuar asaj dorëheqje nga pozita e shefes së grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), parti e cila drejtohet nga Kurti.

“Po, para 4 muajve, unë kam kërkuar vet që me ia shpjegu vet rrethanat e të gjitha. Kryeministri më ka dëgju, i ka bo disa pyetje shtesë edhe nuk e ka kërkuar dorëheqjen time”- tha ajo.

“Pyetjet në përmbajtjen e bisedës e natyrisht edhe për komentet të cilat janë dhënë”- theksoi ajo.

Gazeta Nacionale ka publikuar një audio-incizim, ku pretendohet që janë duke folur shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila dhe ish-deputeti i Listës Serbe, Sllavko Simiq.

Ky audio-incizim, siç ka thënë Gazeta Nacionale, ka ndodhur në qershor të vitit të kaluar, ku deputetja Kusari-Lila ka biseduar me ish-deputetin Simiq e përmes telefonit edhe me Millan Radojiçiqin, i cili është person i dyshuar për rastin e vrasjes së ish-politikanit serb të Kosovës, Oliver Ivanoviq.

Gazeta Nacionale me audio-incizimet që ka publikuar pretendon se shefja e GP të LVV-së ka pranuar që ka biseduar me Radojiçiqin.

Mimoza Kusari-Lila e ka pranuar në Debat Plus në RTV Dukagjini se në takim me Sllavko Simiqin ka biseduar përmes telefonit edhe me Millan Radojiçiqin.

“Nuk ka pasur biseda që shkojnë përtej agjendës së Kuvendit” – tha Mimoza Kusari-Lila.

https://kallxo.com/lajm/mimoza-kusari-lila-flet-per-bisedat-e-saj-me-sllavko-simiqin-ku-permendet-edhe-millan-radojiciq/