Kurti - Senatorëve amerikanë: Dialogu me Serbinë nuk mund të vazhdojë sikurse të mos ketë ndodhur asgjë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka pritur sot senatorët amerikanë, Jeanne Shaheen nga New Hampshire dhe Peter Welch nga Vermont.

Gjatë këtij takimi, Kurti i ka njoftuar senatorët me sulmin e terrorist të 24 shtatorit nga grup i armatosur nga Serbia dhe ka folur lidhur me vazhdimin e procesit të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Zyra e kryeministrit ka bërë të ditur se fillimisht, kryeministri Kurti falënderoi dy senatorët për solidaritetin e treguar me vendin dhe popullin tonë pas sulmit terrorist të 24 shtatorit dhe mbështetjen e vazhdueshme ndaj Kosovës.

Po sipas njoftimit, kryeministri Kurti u ka thënë se senatorëve se dëshmitë e mbledhura deri më tani faktojnë në mënyrë të pamohueshme përfshirjen e shtetit të Serbisë në sulmit paramilitar të së dielës së 24 shtatorit, ku mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku. Sipas Kurtit provat dëshmojnë së sulmi ishte pjesë e një plani më të madh që synim kishte aneksimin e veriut të Kosovës.

Ndërkaq lidhur me lidhje me procesin e dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, Kryeministri Kurti u shpreh se ai nuk mund të vazhdojë sikurse të mos ketë ndodhur asgjë.

“Kapitulli i ardhshëm i dialogut për normalizim duhet ta ketë parasysh veprimin agresor të Serbisë dhe qëllimin e saj të ekspozuar për aneksimin e pjesës veriore të Kosovës. Që dialogu të ketë gjasa për ndonjë sukses, krahas sanksioneve ndaj Serbisë, shtoi kryeministri, është jashtëzakonisht e rëndësishme që qasja të jetë e balancuar, të respektohet dhe zbatohet Marrëveshja Bazike dhe aneksi i saj, dhe që Serbia të zbrapset nga refuzimi publik dhe faktik i pjesëve të Marrëveshjes Bazike të cilat kanë të bëjnë me njohjen de-facto të Kosovës dhe integritetit të saj territorial”- citohet të ketë thënë Kurti pas takimit me senatorët.

Ndërkaq, pas takimit senatorja Shaheen tha se është shumë e rëndësishme që ata të cilët ishin përgjegjës për sulmin të japin llogari para ligjit dhe se Serbia duhet të bashkëpunojnë në hetimet që po zhvillohen.

“Senatorja Shaheen e vlerësoi si pozitive rritjen e numrin të trupave të KFOR-it dhe si të rëndësishëm në mbrojtën e kufijve të Kosovës. Ndër të tjerash, ajo tha se modeli dhe mbështetja e Qeverisë dhe Kryeministrit Kurti për të drejtat e njeriut dhe sundimin e ligjit është shumë i rëndësishëm për të gjitha vendet në rajon dhe se Shtetet e Bashkuara të Amerikës i ndajnë po ato vlera”- thuhet në njoftim.