Albin Kurti në Ohër, Foto: KALLXO.com

Kurti: Drafti i tanishëm i Asociacionit është më i avancuar, vërejtjet dhe kritikat ia kam dërguar Lajçakut

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar se drafti i Asociacionit të komunave me shumicë serbe është pakrahasimisht më i avancuar se sa ai i vitit 2013.

Këtë deklaratë e tha Kurti sot para gazetarëve teksa shtoi se vërejtjet dhe kritikat e tij ia ka përcjellë edhe emisarit të BE-së për dialog, Mirosllav Lajçak.

“Ky është draft krejtësisht tjetër është pakrahasismisht më i avancuar por kjo nuk do të thotë që ne jemi të kënaqur, andaj edhe unë i kam dërguar vërejtjet dhe kritikat e mia. Nuk kam çfarë i shtoj deklaratës time që e kam thënë në Kuvend“- tha Kurti.

Ai theksoi se ka pranuar ta nënshkruaj mirëpo sipas tij  “vetëm se pjesën e një pakete ku kemi kërkuar edhe që Kosova ta fitojë statusin e shtetit kandidat dhe të fillojë programi i NATO-s”.

“Ne kemi thënë që e pranojmë ta nënshkruajmë paktën ku bënë pjesë marrëveshja bazë, aneksi i zbatimit, njëra nga Ohri, tjetra nga Brukseli dhe gjithashtu edhe këtë draftin për të cilin paraprakisht i kemi dërguar vërejtjet por meqenëse në Bruksel na u tha që është një gjë urgjente normalizimi i marrëdhënieve. Unë pranova ta nënshkruajmë me ç’rast nënshkrimi është pranim, mirëpo vetëm se pjesën e një pakete ku kemi kërkuar edhe që Kosova ta fitojë statusin e shtetit kandidat dhe të fillojë programi i NATO-s”- ka thënë Kurti.

“Për hir të konfidencialitetit të draftit, nuk mund të flas as për vërejtjet e as për kritikat e mia, ato janë shumë të rëndësishme, ia kam përcjellë emisarit nëpërmjet zëvendësit tim, Besnik Bislimi më datën 24 tetor pra dy ditë para se të takohemi në Bruksel”- shtoi ai.

Lajçak të martën ka mbajtur takim me krerët e partive opozitare për t’i informuar rreth draftit të Asociacionit. Pas takimit ai tha se kishte një ditë produktive.

Pas takimit, në një deklaratë për media kreu i PDK-së, Memli Krasniqi deklaroi se nuk kanë pasur mundësi ta konsultojnë tekstin integral, teksa tha se shqetësimet e tyre vazhdojë të jenë prezentë pasi sipas tij “dreqi fshihet në detaje”.

“Shqetësimet tona vazhdojnë të jenë prezentë për arsye sepse nuk jemi të njoftuar në detajet e siç thotë një shprehje “dreqi fshihet në detaje”. Neve na duhet t’i shohim detajet e tekstit për të qenë të sigurtë se një themelim i Asociacionit nuk do ta ndryshojë për të keq karakterin unitar të shtetit tonë dhe nuk do ta transformojë Kosovën nga idealet e themeluesve të saj”- tha Krasniqi.

Kurse nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri u shpreh se e vlerëson angazhimin e Lajçak për takim me opozitën, përkundër që sipas Hazirit, vazhdojnë të mbeten në “terr” sa i përket mos zbardhjes së draftit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

“Besoj që angazhimi i tij dhe ndarja e kohës me partitë opozitare është për tu vlerësuar përkundër që po vazhdojmë të mbahemi në një formë apo një tjetër, në terr për shkak të mos zbardhjes së dokumentit mos transparencës së paku në parime dhe në angazhim në orientim që duhet kryeministri i Kosovës që të jua ofrojë deputetëve në çfarëdo forme edhe popullit të Kosovës”- tha Haziri.

Ndryshe nga kolegët e tij, Ramush Haradinaj i AAK-së tha se në takim kanë pasur mundësi që siç tha ai “të njoftohemi me dokumentin e draft-statutit që ta lexojmë në tërësi edhe të zhvillojmë një bisedë në lidhje me hapat e mëtejmë që e presin Kosovën”.

“Sapo përfunduam një takim me përfaqësuesin e BE-së për dialog, Lajçak por edhe me ekspertë të tjerë që ishin me të, po ashtu patëm mundësinë që të njoftohemi me dokumentin e draft-statutit që ta lexojmë në tërësi edhe të zhvillojmë një bisedë në lidhje me hapat e mëtejmë që e presin Kosovën dhe atë çka mund të presë Kosova po ashtu pas implementimit të obligimeve që i ka marrë në bazë të planit frako-gjerman”- deklaroi Haradinaj.

Në anën tjetër, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi dhe emisari Lajçak në takimin që kanë zhvilluar të hënën kanë diskutuar në lidhje me të gjitha aspektet e ndërlidhura me zbatimin e plotë të Marrëveshjes bazike të Brukselit dhe aneksit implementues të Ohrit.

Kështu është bërë e ditur në komunikatën e Qeverisë së Kosovës.

Tutje në këtë komunikatë është thënë se Republika e Kosovës është e përkushtuar për normalizim të plotë të marrëdhënieve me Serbinë dhe për njohje reciproke.

Për takimin ka shkruar në platformën “X” edhe emisari Lajçak.

Ai tha se me Bislimin kanë diskutuar për nevojën e zbatimit të Marrëveshjes për normalizim pa kushte dhe vonesa.

Lajçak ka thënë se janë dakorduar për hapat e ardhshëm por nuk ka treguar se cilët janë ata.

“Sapo u takova me zëvendëskryeministrin e parë Besnik Bislimi për të përcjellë takimin e fundit me liderët europianë në Bruksel dhe nevojën për zbatimin e plotë të Marrëveshjes për rrugën e normalizimit pa vonesa dhe parakushte. Ne ramë dakord edhe për hapat e ardhshëm”- ka shkruar ai.

Vizita e emisarit Lajçak në Kosovë vie rreth dhjetë ditë pas takimeve të fundit në Bruksel më 26 tetor.

Në ato takime, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq u takuan ndaras me krerët e Gjermanisë, Francës, Italisë por edhe përfaqësues të lartë të BE-së.

Pas takimit, ai deklaroi se ishte i gatshëm për ta nënshkruar propozimin që i ishte dorëzuar më 21 tetor nga pesëshja e madhe, që përfshinte një draft statut të vetëmenaxhimit.

“Pavarësisht ofertës sime, Serbia refuzoi të nënshkruajë marrëveshjen dhe draftin e 21 tetorit. Përkundrazi, ajo kërkoi një letër anësore që do të anulonte 3 parime të marrëveshjes dhe propozimin e 21 tetorit. Pranimi do të thotë nënshkrim, dhe nënshkrimi garanton pranimin dhe zbatimin”- ka thënë Kurti.

Një ditë pas këtij takimi, Kurti para gazetarëve theksoi se drafti për vetëmenaxhimin, i paraqitur nga emisarët europianë e amerikanë, do të kontrollohej menjëherë nga Gjykata Kushtetuese për ta vlerësuar kushtetutshmërinë, nëse do të nënshkruhej në Bruksel.

Ai u shpreh se drafti është shkruar me kujdes ndaj strukturës së Kushtetutës, teksa shtoi se Kosova është e përkushtuar për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë dhe njohje reciproke.