Kryetari i Deçanit: Rruga Deçan-Plavë do të vazhdojë

Kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj po vazhdon të jetë i sigurt që ndërtimi i rrugës Deçan-Plavë do të vazhdojë.

Këtë e ka konfirmuar për KALLXO.com vetë Ramosaj, i cili nuk pranoi të japë më shumë detaje.

“Po, po ka me vazhdu patjetër. Jo s’mundem me dhënë detaje, sepse jemi tu i përgatitë detajet”, shtoi Ramosaj.

Rruga Deçan-Plavë ka shkaktuar polemika në Kosovë, pasi komuna e Deçanit filloi ndërtimin e saj.

Këtë gjë e kundërshtoi igumeni i Manastirit të Deçanit, Sava Janjiq, duke thënë se rruga Deçan-Plavë duhet të mbetet e karakterit lokal me kufizime për trafik të shtuar, mjetet të rënda dhe shpejtësi.

Ndërsa, kryeministri Avdullah Hoti kërkoi që të ndërpriten këto punime, pasi sipas tij, binte në kundërshtim me Ligjin për Zonat e Veçanta të Mbrojtura.

Pas kësaj, javën e kaluar, ambasadorët e QUIN-it kishin mbajtur një takim me kryetarin e Komunës, Bashkim Ramosaj dhe kryepeshkopin, Sava Janjiq.

Pas këtij takimi, ambasadat përmes një deklarate të përbashkët u bënë thirrje palëve që të  zbatohet ligji i vitit 2008 për Zonat e Veçanta të Mbrojtura si dhe të zbatohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese të majit të vitit 2016 për çështjen e tokës në Deçan.

Vendet e Quint-it dalin me deklaratë të përbashkët lidhur me punimet në zonën e Manastirit të Deçanit

.