AAK në Deçan nominon Bashkim Ramosajn për kryetar në zgjedhjet e 2025, reagon Shkumbin Demaliaj me akuza

Këshilli i Përgjithshëm dhe Kryesia e AAK-së, dega në Deçan tw premtwn bëri të ditur se ka vendosur në mënyrë unanime për t’a nominuar kandidat për kryetar komune në zgjedhjet e ardhshme komunale, kryetarin aktual të Deçanit, Bashkim Ramosaj.

Ramosaj po ashtu është edhe kryetar i degës së AAK-së në Deçan.

Lidhur me këtë vendim, ka reaguar anëtari i AAK-së, ish-deputeti Shkumbin Demaliaj, duke hedhur disa akuza ndaj Bashkim Ramosajt.

Edhe pse në komunikatën e degës së AAK-së në Deçan thuhet se vendimi është marrë në pajtueshmëri të plotë me Statutin e AAK-së, Demaliaj ka kontestuar këtë vendim duke thënë se ka shkelje të statutit dhe kushtetutës së partisë.

“Pse duhet një takim kaq i rëndësishëm i Partisë të mbahet në Sallën e Kuvendit Komunal e jo në Seli të Partisë apo mendoni që Salla e Asamblesë Komunale është sallë private dhe jo e të partive politike dhe qytetarëve.!!” – ka shkruar Demaliaj në reagimin e tij në Facebook.

Ai e ka quajtur të pakuptimtë shpalljen e kandidaturës së Ramosajt për një mandat të tretë, përderisa janë gati edhe dy vite e gjysmë për të kryer mandatin aktual.

“Nga kush po frigohesh kryetar Bashkim.!!” – ka pyetur Demaliaj përmes postimit të tij.

Më tej, ai ka thënë se nuk është konsultuar asnjë nëndegë të partisë thuajse që dy vite, siç thotë Demaliaj, që nga ardhja e Ramosajt në krye të degës nuk është mbajtur asnjë takim me nëndegët, duke i anashkaluar ato.

“Ashtu sikurse Selia e Partisë që ju ka mëshelë ‘’dera me therrë’’ (popullore) prej ardhjes suaj në krye të saj.!” – është shprehur tutje anëtari i AAK-së.

Sipas Demaliajt, 2/3 e pjesëmarrësve në takim dhe votim nuk janë anëtarë të këshillit të përgjithshëm të degës. Ai ka thënë se shumica e tyre janë drejtorë të shkollave dhe punonjës së administratës që drejtohen nga kryetari i komunës.

“Pastaj lexova në media dhe në rrjete sociale se keni zgjedhur anëtarë të kryesisë dhe nënkryetarë të degës të cilët ja uruan vetvetes këto pozita që mjerisht nuk e dinin të shkretët që janë të jashtëligjshëm në këtë formë të emërimit sepse kryesinë e voton Këshilli i Përgjithshëm i Degës e jo disa qytetarë në sallën e Asamblesë Komunale.!! Pse nuk e zgjodhët kryesinë e Partisë që dy vite Kryetar????????” – shkruan Shkumbin Demaliaj.

Pjesëmarrësit në takim, sipas Demaliajt janë ftuar për shqyrtim të disa pozicioneve buxhetore dhe janë nxjerrë para aktit të kryer që të shkelin normat bazë të organizimit partiak.

Ai shtoi se emërimi i kandidatit për Kryetar të Komunës, i takon vetëm kryetarit të AAK-së, në këtë rast Ramush Haradinajt.

Si anëtar i Këshillit të Përgjithshëm dhe Kryesisë Qendrore të partisë, Shkumbin Demaliaj i ka propozuar Kryetarit të AAK-së, Ramush Haradinaj që ta mbledhë Komisionin për çështje Statutore dhe Statusore të partisë dhe ta vlerësojë ligjshmërinë e këtij vendimi.

Zgjedhjet komunale sipas legjislacionit të Kosovës mbahen çdo katër vjet, rrjedhimisht zgjedhjet e radhës parashihen të mbahen më 2025, pas përfundimit të mandatit të rregullt.