Bashkim Ramosaj. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Ramosaj: Deçani u godit përsëri, kësaj radhe me urdhër të Kurtit

Kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj ka reaguar pas vendimit të ekzekutivit kosovar që t’i jepen pronat Manastirit të Deçanit, sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

Ramosaj ka thënë më 13.03.2024 se Deçanit është goditur “përsëri padrejtësisht” por sipas tij, kësaj radhe nga një urdhër ekzekutiv i kryeministrit Albin Kurti.

“Deçani së pari është goditur padrejtësisht në vitin 2008, kur u krijua ‘Zona e Veçantë e Mbrojtur’, e cila bëri ndalimin e plotë dhe kufizimin e pajustifikueshëm në: ndërtimin e rrugës; ndërtimin e shtratit të Lumbardhit; në ndalimin e shfrytëzimit të ‘Pushimores së Fëmijëve’; e ndaloj plotësisht zhvillimin ekonomik dhe ndërtimin në prona private brenda kësaj zone.”

Ramosaj thotë se që tri vite e ka pritur kryeministrit që ta takojë për këtë çështje.

“Qe tri vite po pres që ky Kryeministër të më takoj një herë të vetme, për të diskutuar edhe për këtë temë për të cilën dha Urdhër Ekzekutiv sot!”

“Parku Kombëtar “Bjeshkët e Nemuna” të vitit 2012, i cili e ndaloj dhe kufizoj mundësinë për të jetuar më mirë në këtë qytet, mundësinë e zhvillimit të kësaj komune, implementimin e shumë projekteve strategjike, të cilat tani më është dashur të jenë të përfunduara. Park Nacional i cili është bërë pengesë shtesë e zhvillimit ekonomik. Vendimi për fillimin e bypass-it, ndërrimin e destinimit të rrugës R108 – viti 2014. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese i vitit 2016, për 24 hektar të pronave, i cili vendim u zbatua sot, nga Agjencioni Kadastral i Kosovës me urdhëresë të Kryeministrit” – ka shkruar tutje më 13.03.2024

“Kur nuk je i zoti të bësh një hajr në këtë vend, është mirë të mos i bësh as sherr këtij vendi”! – ka përfunduar Ramosaj.

Më 13.03.2024 Qeveria e Kosovës ka urdhëruar Agjencinë Kadastrale që të zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese që t’ia njohë Manastirit të Deçanit të drejtën në pronë në 24 hektarë.

Sipas Kurtit, këtë vendim e ka marrë për ta hequr si kusht për pranimin e Kosovës në Këshill të Evropës.

Në maj të vitit 2016, Gjykata Kushtetuese e Kosovës konfirmoi pronësinë e Manastirit të Deçanit mbi disa hektarë tokë. Pavarësisht këtij vendimi juridik dhe kërkesave pasuese, vendimi i Gjykatës nuk ishte zbatuar.

Zyrtarë të institucioneve ndërkombëtare në Kosovë, në vazhdimësi kanë bërë thirrje që të respektohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese.
Kryetari i Deçanit, Bashkim Ramosaj nuk ishte pajtuar kurrë që të zbatohet ky vendim.