Bashkim Ramosaj lavdëron Bashkësinë Islame në Deçan për maturinë pas formimit të "Lëvizjes Braktisja vullnetare e Fesë Islame"
Kryetari i Deçanit, Bashkim Ramosaj ka pritur sot një delegacion të Bashkësisë Islame të kësaj komune pas njoftimit se është formuar Këshilli iniciues për formimin e “Lëvizjes Braktisja vullnetare e Fesë Islame”.
Përmes një njoftimi në Facebook, kreu i Deçanit ka bërë të ditur se gjatë këtij takimi me delegacionin e Bashkësisë Islame janë dakorduar që të mos i kontribuojnë polarizimit, përçarjes e urrejtjes mes qytetarëve.
Ramosaj ka lavdëruar Bashkësinë Islame në Deçan për maturinë e treguar dhe kontributin e dhënë në të mirë të qytetarëve.
“Pavarësisht organizimeve dhe thirrjeve që dikush mund të ketë, Bashkësia Islame dhe qytetarët e Deçanit si gjithherë i kontribuojnë bashkëjetesës, harmonisë dhe të mirës për popullin dhe për shtetin e Kosovës. E falënderoj Bashkësinë Islame në Deçan për maturinë e treguar dhe kontributin e pamohueshëm të tyre, që tradicionalisht i kanë kontribuar e shërbyer edukimit, harmonisë, zhvillimit ekonomik, e sidomos kontributit të madh të tyre në ndërtimin e shtetit të Kosovës” ka thënë ai, ndër të tjerash në Facebook.
Të premten e kaluar nga një grup i qytetarëve është formuar Këshilli iniciues për formimin e “Lëvizjes Braktisja vullnetare e Fesë Islame” (Me Moton: Të jemi vetëm Shqiptar).
Një qytetar me emrin Zeqir Mehmetaj ka postuar në llogarinë e tij në Facebook lajmin për formimin e Këshillit inicues të “Lëvizja Braktisja vullnetare e Fesë Islame”.
Ndaj kësaj nisme ka reaguar Lidhja e Historianëve të Kosovës “Ali Hadri”, dega në Deçan, e cila e ka quajtur “të dëmshëm dhe nxitje urrejtjeje”.
“Lidhja e Historianëve të Kosovës “Ali Hadri” dega në Deçan, thekon se e drejta e besimit fetare, në cilën do prej feve është e drejtë personale e pa imponime dhe pa të drejtë përzierjes tjetrit në drejtën e tij. Feja asnjë here as tash e as në të kaluarën dhe as në të ardhmen nuk do të i ndaj shqiptaret. Jemi një kombi me tri fe: islame, katolike e ortodokse”- thuhet në njoftimin e LHK “Ali Hadri” – dega në Deçan.