Deçan

Vendet e Quint-it dalin me deklaratë të përbashkët lidhur me punimet në zonën e Manastirit të Deçanit

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Kosovë ka lëshuar një deklaratë të përbashkët të vendeve të Quint-it lidhur me punimet që po bëhen në zonën e Manastirit të Deçanit.

Në deklaratë thuhet se përfaqësuesit e vendeve të lartpërmendura janë takuar veçmas me kryetarin e Deçanit Bashkim Ramosaj dhe kryepeshkopin e Manastirit Sava Janjiq.

Ambasadat u bëjnë thirrje palëve që të zbatohet ligji i vitit 2008 për Zonat e Veçanta të Mbrojtura si dhe të zbatohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese të majit të vitit 2016 për çështjen e tokës në Deçan.

“Të enjten, më 27 gusht 2020, ambasadorët e Francës, Gjermanisë, Italisë, Anglisë dhe SHBA-së, së bashku me përfaqësues nga BE, KFOR dhe OSBE vizituan rajonin e Deçanit, në një udhëtim për gjetje të fakteve. Ata u takuan veçmas me kryetarin Bashkim Ramosaj dhe atin e Manastirit të Deçanit, Sava Janjiq. Ne u bëjmë thirrje palëve që të zbatojnë me përpikëri ligjet e Kosovës, në veçanti ligjin e vitit 2008 për Zonat e Veçanta të Mbrojtura, dhe çdo shqetësim ta adresojnë brenda kornizës së Këshillit monitorues të implementimit(KPM), para se të marrin ndonjë veprim. Për më tepër, ne nxisim autoritetet e Kosovës që të zbatojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese të 19 majit 2016 për çështjen e mosmarrëveshjes lidhur me tokën në Deçan. Për fund kërkojmë që Qeveria e Kosovës të zgjidhë në mënyrë të shpejtë çështjen e punimeve në rrugë në përputhje me atë që u tha më sipër,” thuhet në deklaratë.

Kjo vizitë e ambasadorëve vjen disa ditë pas ndërprerjes së punimeve në rrugën Deçan-Plavë, pasi Manastiri i Deçanit po kërkon që kjo rrugë të mbetet e karakterit lokal.