Matja e premtimeve të Bashkim Ramosajt për sigurinë publike

Kryetari aktual i Deçanit, Bashkim Ramosaj, në kohën kur kandidonte për t’u ri-zgjedhur në krye të kësaj komune, krenohej me atë se sipas tij, Deçani është lider sa i përket mos pasjes së ekstremizmi.

Në ‘Debat Përnime’, gjatë fushatës për zgjedhjet lokale të vitit 2021, Ramosaj kur është pyetur për ekstremizmin, radikalizmin dhe sigurinë publike në komunën e tij, thoshte se institucionet kredibile kanë thënë se ‘Deçani është lider për mos pasje të ekstremizmit’.

“Mua më vjen mirë që Deçani është lider sa i përket mos pasjes së ekstremizmit. Kjo matje nuk është bërë prej neve, por është bërë institucionet kredibile dhe ky fakt më gëzon. Ndoshta është edhe e kaluara jonë bukur e gjatë, që nuk pranojmë kësi ekstremizma, jemi goxha të harmonizuar për me bashkëjetu në mes vete” – kishte thënë Ramosaj.

Tutje, Ramosaj kishte thënë se ka plan kombëtar të reagimit, sipas tij, qoftë emergjente apo të jashtëzakonshme, e që komuna është e obliguar që planin komunal ta ketë të harmonizuar me të.

“Janë fenomene me të cilat kjo shoqëri edhe po përballet. Është një plan kombëtar i reagimit, në këso situata, qoftë emergjente, qoftë të jashtëzakonshme e që komuna është e obliguar që me e pas një plan komunal të harmonizuar me këtë, ku janë krejt akterët institucional të përfshirë në këtë kuadër. Mua më gëzon fakti që kjo trup e ndërtuar nga komuna, ka funksionuar më së miri deri tash” – kishte thënë ai.

Gati një vit pasi që Ramosaj e ka rimarrë pozitën, nga Komuna e Deçanit thonë se komuna ka planin e vlerësimit të rreziqeve nga fatkeqësitë natyrore dhe fatkeqësitë e tjera.

“Komuna e Deçanit posedon planin e vlerësimit të rreziqeve nga fatkeqësitë natyrore dhe fatkeqësitë tjera, i cili është azhuruar në vitin 2018 dhe përmban të gjitha fushat e rreziqeve qoftë natyrore dhe njerëzore” – ka thënë për KALLXO.com, Dafina Cacaj nga zyra e kryetarit.

Ajo ka thënë se gjithashtu Komuna së bashku me FSK-në kanë bërë testimin e kapaciteteve teknike dhe njerëzore në një ushtrim fushor i koduar ‘Ujku vigjilent’.

“Në rastin e fundit të pandemisë që ndodhi në të gjithë botën, Komuna e Deçanit, duke u bazuar në planin e reagimit kombëtar dhe në planin e MNZ-së, ka ndjekur procedurat e gadishmërisë në raste emergjente gjatë kësaj periudhe. Po ashtu edhe në helmimet e fundit që ka pasur Komuna, procedurë standarde ka qenë MNZ-ja në rastet emergjente” – ka thënë Cacaj.

 Në debatin zgjedhor, Ramosaj kishte thënë se si komunë, kishin bërë zgjidhje për psikolog, përkohësisht, duke angazhuar pesë të tillë me kontratë mbi vepër.

“Tani për tani kemi bo një zgjidhje për psikolog në shkolla dhe i kemi pesë psikolog me kontratë mbi vepër, e të cilët bashkëpunojnë edhe me QKMF edhe me Qendrën për Punë Sociale, edhe me Policinë e Kosovës” – kishte thënë Ramosaj.

Ndërsa rreth një vit pas kësaj deklarate, Komuna e Deçanit ka një piskolog më pak, se në kohën kur e kishte dhënë Ramosaj deklaratën.

Sipas Dafina Cacajt nga Zyra e Kryetarit, sipas Udhëzimit Administrativ, katër piskologët e angazhuar mjaftojnë për numrin e nxënësve që ka komuna e Deçanit.

“Momentalisht i kemi nëpër shkolla të komunës së Deçanit, katër piskolog. Udhëzimi Administrativ e thotë se duhet 1 mijë nxënës – një piskolog. Pra, sipas Udhëzimit Administrativ mirë jemi, të cilët mjaftojnë për numër të nxënësve” – ka thënë Cacaj për KALLXO.com.

Ajo ka thënë se qyteti i Deçanit njihet si qytet i qetë dhe sipas saj, elementet të ekstremizmit dhe radikalizmit nuk ka pasur as para e as pas zgjedhjes në mandatin e dytë të kryetarit Ramosaj.

“Gjatë kësaj periudhe institucionet komunale, konkretisht Këshilli Komunal për Siguri në Bashkësi, në takimet e veta ka diskutuar dhe ka bërë apel te qytetarët rreth këtyre fenomeneve negative të ekstremizmit dhe radikalizmit fetar” – ka thënë Cacaj. 

“Sipas raporteve të institucioneve të sigurisë, duke përfshirë Policinë, KFOR-in dhe institucionet tjera dhe duke u bazuar në situatën reale, siguria publike në komunën e Deçanit është në nivelin e duhur dhe nuk ka shqetësime të natyrave që e rrezikojnë sigurinë publike”.

Në tetor të këtij viti, kryetari Bashkim Ramosaj është takuar me drejtorin e Zyrës Rajonale të OSBE-së, Riccardo Celeghini, ku sipas komunës, është diskutuar rreth projekteve në fushat e drejtave të njeriut, demokratizimit, projektet që kanë target komunitetet pakicë, luftën kundër dhunës në familje, për bashkësitë fetare dhe bashkëpunimin e mirë ndërmjet tyre.

Ndërsa po ashtu në tetor të 2022-ës, ka filluar vendosja e kamerave të sigurisë në qytetin e Deçanit.

Sipas komunës, projekti ka për qëllim të garantojë më shumë siguri për pronën dhe qytetarët e komunës, si dhe të ndihmojë në parandalimin e veprave penale dhe kundëervajtjeve.