Krerët opozitarë në Kosovë urojnë Talat Xhaferin

Krerët opozitarë në Kosovë kanë uruar Talat Xhaferin i cili ka marrë sot zyrtarisht pozitën e kryeministrit të Qeverisë teknike në Maqedoninë e Veriut.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, e ka uruar  Xhaferin për postin e ri, ndërsa ka uruar të gjithë shqiptarët e Maqedonisë së Veriut për përpjekjet e tyre shekullore për barazi, duke thënë se ato po kulmojnë me kryeministrin e parë shqiptar në historinë e këtij shteti.

“Sot, mbi të gjitha, është dita për të përgëzuar edhe liderin e shqiptarëve në këtë shtet, heroin e luftës dhe paqes, Ali Ahmetin, i cili, me maturinë dhe vizionin e tij luajti rolin kryesor në ngritjen e shqiptarëve dhe realizimin e kësaj të arriture historike”- ka thënë ai.

Ndërsa, kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku e ka uruar Xhaferin për arritjen historike.

“Le të jetë ky një inspirim për secilin shqiptar tjetër në këtë Republikë, në vazhdimin e kësaj rruge, tashmë të shtruar me plot dinjitet dhe sakrificë. Shqiptarët, si popull autokton, janë jo vetëm faktor stabiliteti në Maqedoni të Veriut, por dhe prijës të denjë në gjithë rrugëtimin euroatlantik për secilën shoqëri. Talat Xhaferi është i tillë!”- ka thënë ai.

Edhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se ky është një fillimvit i mbarë për shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, për vet shtetin dhe mbarë rajonin.

“Zgjedhja e Talat Xhaferit, si kryeministër i parë shqiptar në Maqedoninë Veriore përbën lajmin më të mirë për të ardhmen e shqiptarëve atje dhe për shtetin tonë fqinj. Mikut tim Talat Xhaferi, sikurse kreut të BDI-së, Ali Ahmeti, i uroj përzemërsisht për këtë të arritur historike, duke qenë të bindur se e ardhmja jonë e përbashkët është në Bashkimin Evropian, në NATO dhe mekanizma tjerë të rëndësishëm ndërkombëtar”- ka shkruar ai.

Talat Xhaferi edhe zyrtarisht është zgjedhur kryeministri i parë shqiptar në Maqedoninë e Veriut, duke hyrë kështu në historinë moderne të Maqedonisë.

Xhaferi u zgjodh me 65 vota të deputetëve, nga 68 gjithsej sa votuan. Tre ishin kundër dhe asnjë nuk abstenoi.

Xhaferi mbajti një fjalim para deputetëve në Kuvend, duke thënë se prioritet i Qeverisë së tij do të jetë bashkëpunimi me BE-në, NATO-n dhe ShBA-të.

Talat Xhaferi zyrtarisht zgjedhet kryeministri i parë shqiptar në Maqedoninë e Veriut