Konjufca për deklaratën e Klinakut: Është kërcënim i hapur për kryeministrin

Kryetari i Parlamentit të Kosovës, Glauk Konjufca, në një deklarim për media ka folur edhe për deklaratën e ushtruesit të detyrës së kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Faton Klinaku, i cili tha se “…Më parë e vras Albin Kurtin sesa që ia lëshoj rrugën e iku nga Kosova”.

Konjufca këtë deklaratë e ka llogaritur si kërcënim të hapur ndaj kryeministrit Kurti.

“Është kërcënim i hapur për kryeministrin e Kosovës dhe si e tillë është e papranueshme” – u shpreh Konjufca.

Tutje ai tha se mendon se është një shprehje shumë e papranueshme, e aq më tepër që vije nga një personalitet, i cili sipas kryeparlamentarit përfaqëson një shoqatë kaq të respektuar.

“Që të flet fjalë të tilla është me të vërtetë e pa pranueshme, ne e dimë që secili çka përfaqëson Albin Kurti është kryeministër i Republikës së Kosovës, ai është zgjedhur nga populli i Kosovës, e ka legjitimitetin e plotë” – tha Konjufca.

Tuje ai shtoi se deklarata e Klinakut është e papranueshme në një shtet, i cili i thotë vetes demokratik.

“Pra kur thua që jemi demokraci, atëherë ka gjykata, ka sundim të ligjit, ka çka është dallimi në mes lirisë së shprehjes dhe çka është kërcënimi e unë mendoj që kjo absolutisht nuk mund të kategorizohet kjo e zotëri Klinakut në liri të shprehjes, kjo nuk kishte fare të bënte me liri të shprehjes” – u shpreh kryetari i Parlamentit.

Lidhur me këtë deklaratë të Klinakut, këshilltari politik i kryeministrit, Hysamedin Feraj ka reaguar duke thënë se Qeveria dhe qeverisja për popullin e nga populli ndryshohet me votim nga populli, jo me metodat e Vuçiqit e të Putinit.

“Klinaku njollos emrin e OVL-UÇK-së. OVL duhet të ruaj nderin dhe lavdinë që ia këshillon emri i vet, duke mos u përfaqësuar me emrin Faton Klinaku” – ka shkruar Feraj në Facebook.

“Përndryshe, e mbajnë në krye, shef të tyre, dhe pastaj do të ankohen se po gjykohet OVL-UÇK-ja për nxitje të terrorizmit politik, nëse motivi është “politik-patriotik” ose më keq: për “elementë të organizatës mafioze”, nëse motivi është fitimi i parave, me vrasje!” – është shprehur ai.

Ndërsa deri më tani degën e kësaj OVL-UÇK-së në Has, janë distancuar nga deklarata e Klinakut.

Dega e OVL-UÇK-së në Has distancohet nga Një deklaratë e ud. Faton Klinaku ku përmendet vrasja e kryeministrit të Kosovë” – thuhet në këtë reagim të kësaj dege.

KALLXO.com ka provuar të marr një qëndrim nga ana e Zyrës së Kryeministrit, nga organet e drejtësisë e nga Policia e Kosovës, mirëpo asnjëra nga këto institucione nuk kanë kthyer përgjigje.

Për rastin është kontaktuar edhe partia të cilën e udhëheqë vet Kurti, Lëvizja Vetëvendosje, mirëpo as nga kjo parti nuk është marr ndonjë përgjigje.

Postimi i Klinakut ishte nisur duke thënë se një votues i kryeministrit Kurti është aq shumë i dëshpëruar saqë ka thënë se nuk ka mbetur gjë tjetër, pos të largohet jashtë vendit.

“I thashë: As se kam votu, as ndryshim për të mirë kurrsesi që nuk kam pritur nga ai, e sa i përket daljes jashtë, më parë e vras Albin Kurtin sesa që ia lëshoj rrugën e iku nga Kosova” – kishte vazhduar më tej Klinaku.

Sipas tij, Kosovën nuk duhet e as që guxojnë ta lëshojnë ata që kanë luftuar për të.

Pasi që kjo deklaratë e tij u raportua nga mediat, ai ka bërë edhe një postim tjetër.

“Nëse mediave ju duket postimi im si skandaloz, atëherë të më thonë se: A më shumë vlen Albini, apo atdheu ynë?” – shkroi Faton Klinaku në postimin e tij të dytë.

Ai përsëriti fjalinë e njëjtë edhe në postimin e dytë duke thënë se më parë e vret Albin Kurtin se sa ia lëshon rrugën e ikë nga Kosova.

Hysamedin Feraj i reagon Faton Klinakut: OVL duhet të ruaj nderin dhe lavdinë