Protesta e veteranëve të UÇK-së (06.06.2022)

Një degë e OVL-UÇK-së distancohet nga deklarata e Faton Klinakut

Deklarata e mbrëmshëm e ushtruesit të detyrës së kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Faton Klinaku ka bërë që sot dega e OVL-UÇK-së të distancohen nga ai.

Bëhet fjalë për degën e kësaj organizate në Has, të cilët për distancimin e tyre kanë njoftuar në Facebook.

“Dega e OVL-UÇK-së në Has distancohet nga një deklaratë e ud. Faton Klinaku ku përmendet vrasja e kryeministrit të Kosovë” – thuhet në këtë reagim të kësaj dege.

“…Më parë e vras Albin Kurtin sesa që ia lëshoj rrugën e iku nga Kosova” – janë fjalët që ka shkruar Klinaku mbrëmë në Facebook.

Lidhur me këtë deklaratë të Klinakut, këshilltari politik i kryeministrit Kurti Hysamedin Feraj ka reaguar në Facebook, duke thënë se Qeveria dhe qeverisja për popullin e nga populli ndryshohet me votim nga populli, jo me metodat e Vuçiqit e të Putinit..

“Klinaku njollos emrin e OVL-UÇK-së. OVL duhet të ruaj nderin dhe lavdinë që ia këshillon emri i vet, duke mos u përfaqësuar me emrin Faton Klinaku” – ka thënë Feraj.

“Përndryshe, e mbajnë në krye, shef të tyre, dhe pastaj do të ankohen se po gjykohet OVL-UÇK-ja për nxitje të terrorizmit politik, nëse motivi është “politik-patriotik” ose më keq: për “elementë të organizatës mafioze”, nëse motivi është fitimi i parave, me vrasje!” – është shprehur ai.

KALLXO.com deri më tani ka provuar të marr një qëndrim nga ana e Zyrës së Kryeministrit, nga organet e drejtësisë e nga Policia e Kosovës, mirëpo asnjëra nga këto institucione nuk kanë kthyer përgjigje.

Për rastin është kontaktuar edhe partia të cilën e udhëheqë vet Kurti, Lëvizja Vetëvendosje, mirëpo as nga kjo parti nuk është marr ndonjë përgjigje.

I gjithë postimi i Klinkaut ishte nisur duke thënë se një votues i Kryeministrit Kurti është aq shumë i dëshpëruar saqë ka thënë se nuk ka mbetur gjë tjetër, pos të largohet jashtë vendit.

“I thashë: As se kam votu, as ndryshim për të mirë kurrsesi që nuk kam pritur nga ai, e sa i përket daljes jashtë, më parë e vras Albin Kurtin sesa që ia lëshoj rrugën e iku nga Kosova” – kishte vazhduar më tej Klinaku.

Sipas tij, Kosovën nuk duhet e as që guxojnë ta lëshojnë ata që kanë luftuar për të.

Pasi që kjo deklaratë e tij, u raportua nga mediat, ai ka bërë edhe një postim tjetër.

“Nëse mediave ju duket postimi im si skandaloz, atëherë të më thonë se: A më shumë vlen Albini, apo atdheu ynë?” – shkroi Faton Klinaku në postimin e tij të dytë.

Ai përsëriti fjalinë e njëjtë edhe në postimin e dytë duke thënë se më parë e vret Albin Kurtin se sa ia lëshon rrugën e ikë nga Kosova.

Faton Klinaku nga OVL-UÇK: Më parë e vras Albin Kurtin, se sa iku nga Kosova