Foto: Hysamedin Feraj/Facebook

Hysamedin Feraj i reagon Faton Klinakut: OVL duhet të ruaj nderin dhe lavdinë

“…Më parë e vras Albin Kurtin sesa që ia lëshoj rrugën e iku nga Kosova” – janë fjalët që ka shkruar Ushtruesi i Detyrës së Kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Faton Klinaku të martën në Facebook.

Lidhur me këtë deklaratë të Klinakut, ka reaguar këshilltari politik i kryeministrit Kurti, Hysamedin Feraj.

“Klinaku njollos emrin e OVL-UÇK-së. OVL duhet të ruaj nderin dhe lavdinë që ia këshillon emri i vet, duke mos u përfaqësuar me emrin Faton Klinaku” – ka thënë Feraj.

“Përndryshe, e mbajnë në krye, shef të tyre, dhe pastaj do të ankohen se po gjykohet OVL-UÇK-ja për nxitje të terrorizmit politik, nëse motivi është “politik-patriotik” ose më keq: për “elementë të organizatës mafioze”, nëse motivi është fitimi i parave, me vrasje!” – është shprehur ai.

Deri më tani, nga deklarata e Klinakut është distancuar dega e OVL-UÇK-së në Has.

“Dega e OVL-UÇK-së në Has distancohet nga Një deklaratë e ud. Faton Klinaku ku përmendet vrasja e kryeministrit të Kosovë” – thuhet në këtë reagim të kësaj dege.

KALLXO.com deri më tani ka provuar të marr një qëndrim nga ana e Zyrës së Kryeministrit, nga organet e drejtësisë e nga Policia e Kosovës, mirëpo asnjëra nga këto institucione nuk kanë kthyer përgjigje.

Për rastin është kontaktuar edhe partia të cilën e udhëheqë vet Kurti, Lëvizja Vetëvendosje, mirëpo as nga kjo parti nuk është marr ndonjë përgjigje.

I gjithë postimi i Klinkaut ishte nisur duke thënë se një votues i Kryeministrit Kurti është aq shumë i dëshpëruar saqë ka thënë se nuk ka mbetur gjë tjetër, pos të largohet jashtë vendit.

“I thashë: As se kam votu, as ndryshim për të mirë kurrsesi që nuk kam pritur nga ai, e sa i përket daljes jashtë, më parë e vras Albin Kurtin sesa që ia lëshoj rrugën e iku nga Kosova” – kishte vazhduar më tej Klinaku.

Sipas tij, Kosovën nuk duhet e as që guxojnë ta lëshojnë ata që kanë luftuar për të.

Pasi që kjo deklaratë e tij, u raportua nga mediat, ai ka bërë edhe një postim tjetër.

“Nëse mediave ju duket postimi im si skandaloz, atëherë të më thonë se: A më shumë vlen Albini, apo atdheu ynë?” – shkroi Faton Klinaku në postimin e tij të dytë.

Ai përsëriti fjalinë e njëjtë edhe në postimin e dytë duke thënë se më parë e vret Albin Kurtin se sa ia lëshon rrugën e ikë nga Kosova.

Faton Klinaku nga OVL-UÇK: Më parë e vras Albin Kurtin, se sa iku nga Kosova