Glauk Konjufca

Konjufca: Kuvendi është vendi i duhur për të ngritur zërin për barazi gjinore

Kryeparlamentari i Kosovës, Glauk Konjufca në Forumin ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë ka deklaruar se Kuvendi është hapësira e duhur për ngritjen e zërit dhe kauzave për barazi gjinore, për pjesëmarrjen e grave dhe për rolin e tyre thelbësor për ta zhvilluar demokracinë parlamentare.

Parlamenti, siç tha ai, është hallkë institucionale me rëndësi për të zbatuar suksesshëm agjendën për gratë, paqen dhe sigurinë.

Edicionin e këtij forumi, sipas tij po e bën edhe më domethënës periudha kohore kur po mbahet, pikërisht në javën kur Kosova po e shënon ditën që i kushtohet të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë.

“14 Prilli është kujtimi dhe reflektimi mbi vuajtjet e viktimave të krimeve të luftës, krimeve kundër njerëzimit të kryera nga formacionet ushtarake policore serbe që përdorën dhunë seksuale, si strategji dhe armë e luftës dhe si instrument i spastrimit etnik kundër popullit. Rreth 20 mijë gra u dhunuan e këto janë dëshmi e dhimbjes së vazhdueshme”- tha Konjufca.

“Kurajo dhe forca për ta ngritur zërin dhe zbardhur të vërtetën është një frymëzim i jashtëzakonshëm për ne. Ato përveç dhimbjës që i ka përcjellë tash e 25 vite, përballën vazhdimisht edhe me stigmën dhe mungesën e padurueshme të drejtësisë, përderisa kryerësit e krimeve nuk e kanë marrë dënimin e merituar”-  ka deklaruar kryeparlamentari.

Kryetari i Kuvendit tha se iniciativa e presidentes, Vjosa Osmani, për themelimin e Qendrës së Ekselencës është një moment shumë i rëndësishëm për implementimin e zotimeve që janë marrë në Samitin për Demokraci.

“Iniciativa e presidentes Osmani për themelimin e Qendrës së Ekselencës, për gratë, paqen dhe sigurinë në bashkëpunim me DASH që u kurorëzua dje, është një moment shumë i rëndësishëm për implementimin e zotimeve që kemi marrë ne nga Samiti për Demokraci. Konsideroj që kjo iniciativë do të kontribuojë për të dërguar përpara agjendën për gratë, për paqen dhe sigurinë”- theksoi Konjufca.

Në kuadër të Forumit ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani do të zhvillojë një panel me rininë.

Forumi i WPS, nën organizimin e presidentes Osmani, ndër mysafirë special ka pasur edhe krerë shtetesh.

Me rastin e Forumit për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, Presidenca e Kosovës është përzgjedhur nga SHBA-të për themelimin e Qendrës Rajonale të Ekselencës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë.

Katrina Fotovat, zëvendësdrejtore e Sekretarit të shtetit për çështjet e gruas në Departamentin e Shtetit Amerikan dhe presidentja Osmani kanë nënshkruar një dokument, sipas së cilit Kosova është përzgjedhur për themelimin e kësaj Qendre.

Edhe ish- Sekretarja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Hillary Clinton pasi e ka vlerësuar si të rëndësishëm këtë Forum, është shprehur e kënaqur për bashkëpunimin e Kosovës me Deparatamentin e Shtetit për themelimin e kësaj Qendre në Kosovë.

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani gjatë fjalimit të saj, ka vlerësuar lartë përmbajtjen dhe qëllimin e këtij Forumi.

Para këtij vlerësimi, ajo ka kujtuar Forumin për Gratë, i cili është mbajtur në vitin 2022.

Në këtë rast, ajo ka ndarë një moment që ka pasur me ish-sekretaren amerikane Madeleine Albright, në fund të vitit 2022, disa muaj para se ajo të vdiste.

“Si zakonisht ajo (Madeleine Albright) vazhdonte të fliste se çfarë mund të bënte më shumë për Kosovën dhe në atë takim shkëlqeu ideja e parë e një Forumi për Gratë, Paqen dhe Sigurinë në Kosovë, i cili pastaj u bë zyrtarisht një nga angazhimet tona kyqe. Fatkeqësisht sekretarja Albright ndërroi jetë, por përmes këtij Forumi ne gjithmonë do të sigurohemi se trashëgimia e saj e fuqizimit të grave në Kosovë dhe çdo kund në botë do të vazhdojë” – tha presidentja Osmani.

Presidentja Osmani ka thënë se frymëzohet nga gratë e Kosovës, siç i ka quajtur ajo “guximtare”.

Presidenca e Kosovës kishte njoftuar se forumi për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, do të mbahet më 15 dhe 16 prill 2024, në Prishtinë, ku do të marrin pjesë personalitete të shumta të jetës politike, shkencore, kulturore dhe nga shoqëria civile nga vende të ndryshme të botës.

Me iniciativë të presidentes Osmani, më 22.10.2022 dhe 23.10.2022, në Prishtinë i zhvilloi punimet Forumi Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, një organizim i pari i këtij lloji në historinë e Kosovës.