25 vjetori i masakrës së Poklekut

Osmani e Konjufca nderojnë viktimat e masakrës së Poklekut, ku forcat serbe vranë e dogjën 54 civilë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, kanë bërë homazhe në varrezat e Poklekut të Drenasit, ku 25 vjet më parë forcat serbe kishin vrarë 54 civilë, 25 prej të cilëve ishin fëmijë.

Kreu i Kuvendit ka theksuar se kjo masakër kishte për qëllim shfarosjen e popullit shqiptar.

“Kreu i Kuvendit tha se nga 54 persona që këtu u vranë, 25 ishin fëmijë, gjë që e vërteton qëllimin gjenocidal të Serbisë, sepse gjithkush e shtron pyetjen e natyrshme, çfarë faji kishin fëmijët. I vetmi faj i tyre ishte se ishin shqiptarë. Ne ndihemi të pikëlluar dhe të poshtëruar që kurrë nuk erdhi drejtësia për të gjithë këto krime, të cilat i kryen forcat e armatosura të policisë dhe ushtrisë serbe” – thuhet në komunikatën e Kuvendit të Kosovës.

Kryetari Konjufca së bashku me presidenten Osmani dhe kryetarin e Komunës së Drenasit Ramiz Lladrovci, vizituan shtëpinë (muzeun) e Sinan Muqollit, në Poklek.

E Fadil Muqolli, familjar i viktimave të masakrës së Poklekut, çdo ditë zgjohet me luftën brenda tij që të kërkojë drejtësinë për familjen që iu vra brenda një dhome nga forcat serbe.

Gjaku kullon, por drejtësi ende nuk ka. Lotët nën qerpikë i mban me aq forcë sa i ka mbetur, edhe pse dy sytë e rrethuar me rrudhat e vuajtjes, shpërfaqin dhimbje, mall e pritje.

Ashtu i fortë si burri i botës, Fadil Muqolli jeton që 25 vite, prej kur me duart e tij mblodhi eshtrat e djegura të nënës, babait, fëmijëve, gruas, motrave e vëllezërve të tij të vrarë e të djegur në masakrën e Poklekut.

55-vjeçari nuk qan midis të tjerëve, por plagën që i lëvizë gjoksin e mban nën kraharor.

Çdo pasdite, para se të shkojë nga puna për në shtëpinë e tij të re, që gjendet mu përballë të vjetrës, Muqolli, që mban barrë të madhe mbi shpinë e gjëmime të mëdha përsiatjesh lufte në kokë, me hapa të ngadaltë viziton familjen që nuk ekziston më.

www.kallxo.com