Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Komisioni parlamentar miraton listën me kandidatët për anëtarë të bordit të AKP-së

Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti ka bërë sot shqyrtimin e propozimit të vendimit të Qeverisë, për emërimin e Bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP).

Kryetari i Komisionit, Ferat Shala (PDK) konstatoi se me shumicë votash ky komision ka miratuar listën e propozuar e cila tashmë i procedohet Kuvendit të Kosovës për votim.

Paraprakisht, anëtarët e Komisionit nga opozita kritikuar vendime e qeverisë.

Anëtari i Komisionit nga radhët e AAK-së, Pal Lekaj tha se vendimi i qeverisë për AKP-në është politik, pasi sipas tij bordi duhet të ketë mandat të plotë.

“Derisa nuk e kam të qartë sa do të zgjasë shuara e AKP-së, nuk mendoj që duhet ta shuajmë AKP-në derisa nuk fillojmë me plotësim-ndryshimin e ligjit dhe derisa nuk ka një iniciativë të tillë, më tepër është politike dhe asgjë më shumë e as më pak. Prandaj kam dëshirë ta dijë sa është mandati i tyre”, shtoi ai.

Kurse, anëtarja e Komisionit nga radhët e LVV-së, Mimoza Kusari-Lila tha se Qeveria nuk e ka mandatin të përcaktojë se sa do të zgjasë bordi i AKP-së.

“Këtë e përcakton Ligji mbi Agjencionin Kosovar të Privatizimit. Ky Komision ka miratuar një agjendë legjislative pjesë e të cilit është edhe ky ligj. Rrjedhimisht i bjen që ky bord është i fundit i AKP-së, këta do të fillojnë punën në momentin e konfirmimit në Kuvendin e Kosovës dhe detyrë e tyre më nuk do të jetë vazhdimi i procesit si ka qenë por përgatitja, ristrukturimi dhe  transformimi i AKP-së në Fondin sovran, projekt i proklamuar në dy zgjedhjet e fundit nacionale”, theksoi ajo.

Sipas deputetes, nuk ka politizim të këtij bordi.

“Sa i përket politizimit apo tendencës siç po thuhet të kapjes së bordit të AKP-së absolutisht nuk qëndrojnë, veç për një fakt sepse ky bord do të bëjë transformim të politikave të subjektit i cili ka fituar zgjedhjet me atë program. Rrjedhimisht duhet të jenë të gjithë ekspertë të fushës dhe njerëz që e kuptojnë atë koncept prandaj është gjithashtu në diskrecion të qeverisë të dërgojë këta emra të cilat janë në përputhshmëri me ligjin me profesionalizëm të lartë, me kuotë gjinore”, tha ajo.

KALLXO.com dje ka raportuar për katër emrat e propozuar për anëtarë të bordit të AKP-së që kanë ose kanë pasur lidhje me parti politike.

Qeveria i propozon tetë emra Kuvendit për bordin e AKP-së