Albin Kurti, Foto: Qeveria e Republikës së Kosovës
Qeveria i propozon tetë emra Kuvendit për bordin e AKP-së
Qeveria e drejtuar nga Albin Kurti ka propozuar tetë emra për bordin e Ndërmarrjes Publike “Agjencia Kosovare e Privatizimit” (AKP).
Para se shefi i qeverisë t’i lexojë emrat për bordin e AKP-së para kabinetit, tregoi se çfarë pret nga mbikëqyrësit e menaxhementit në AKP.
“Në programin qeverisës kemi paraqitur edhe ndryshim rrënjësor të statusit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, ky transformim pritet që të ndodh dhe po parapraihet nga ky propozim për një bord të ri që pas miratimit në Kuvend do të ketë përgjegjësi për të nisur procesin përgaditor për këtë transformim”, tha ai gjatë mbledhjes së qeverisë.
Bordi i propozuar nga qeveria Kurti përbëhet nga këta emra: Nazmi Mikullovci, Syzana Dautaj- Surdulli, Mentor Hyseni, Vjollca Jashari, Violeta Arifi- Krasniqi, Xhevdet Neziraj, Halim Muqolli dhe Avni Ajdini.
Tutje, kryeministri Kurti njoftoi se ky do të jetë bordi i fundit në këtë ndërmarrje publike.
“Me këtë rast ne i kemi përfillur të gjitha kriteret ligjore e të tjera që janë të nevojshme për propozimin tonë dhe ky do të jetë bordi I fundit I AKP-së, I Agjencisë Kosovare të Privatizimit në mënyrë që të hapim një etapë zhvillimore në Republikën e Kosovës, drejt fondit sovran, agjencisë e Bankës Zhvillimore dhe në këtë mënyrë tjetërsimet abuzive që janë bërë në të kaluarën, duke përfshirë aty edhe vrasjen enigmatike të ish-kreut të AKP-së, të jenë një periudhë që e tejkalon Kosova e pavarur”, tha ai të martën në mbledhjen e ekzekutivit.
Pas aprovimit të këtij propozimi, vendimi bashkë me biografitë e këtyre kandidatëve, pritet të procedohen në Kuvendin e Kosovës për shqyrtim dhe miratim.