Pezullimi i punimeve në "Rrugën A", Komuna e Prishtinës dhe investitori marrin hapa ligjorë

Zëdhënësja e Gjykatës Komerciale, Albënora Bekteshi-Hoti, e ka konfirmuar për KALLXO.com përmes telefonit se Komuna e Prishtinës dhe kompania “Sallahu” kanë deponuar ankesë në shkallën e dytë në Gjykatën Komerciale lidhur me pezullimin e punimeve për ndërtimet në “Rrugën A”.

Në prill të këtij viti i pari i Prishtinës Përparim Rama pati njoftuar për fillimet e punimeve në “Rrugën A”, të riemëruar si “Jim Xhema”.

Por me vendim të shkallës së parë të Gjykatës Komerciale janë pezulluar punimet në “Rrugën A” të kryeqytetit.

Përparim Rama ishte shprehur se ky vendim ishte politik duke e përmendur se i njëjti është marrë nga motra e deputetes së LVV-së, Fitore Pacolli, gjyqtarja Vlora Pacolli.

Rama pati thënë se ky projekt madhor infrastrukturor për kryeqytetin do e lidhë “Prishtinën e Re” me “Kalabrinë”, dhe se kështu i jep fund kundërmimeve nga kanalizimi i hapur.

“Rruga A” është paralajmëruar se do të ketë 6 korsi gjithsej, prej tyre korsi të veçantë për autobusë e shtigje për biçikleta.