Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com
Koalicionet e padefinuara mbajnë pezull kabinetin “Rama 2”
Pas më shumë se 100 ditësh prej kur Përparim Rama fitoi mandatin e dytë për të drejtuar kryeqytetin, procesi i formimit të kabinetit qeverisës në Prishtinë mbetet ende i pambyllur. Ndërkohë, vonesat në finalizimin e marrëveshjeve të koalicionit po konsiderohen se kanë shtyrë edhe emërimet e drejtorëve komunalë.
Kabineti “Rama 2” ende nuk i ka publikuar emërimet zyrtare të udhëheqësve të drejtorive komunale. Disa prej drejtorëve aktualë deklarojnë se mandatet e tyre janë vazhduar vetëm përkohësisht.
Megjithatë, KALLXO.com mëson se brenda kabinetit pritet të ketë emra të rinj që do ta ndryshojnë strukturën aktuale.
Sipas Ligjit për Vetëqeverisje Lokale, kryetari i komunës është i detyruar të emërojë nënkryetarin brenda 30 ditëve pas betimit dhe marrjes së mandatit. Meqenëse ky afat ka kaluar, përbërja e re e kabinetit është vonuar ndjeshëm, duke e tejkaluar kohën që ligji e parashikon.
Përparim Rama u betua si kryetar më 9 dhjetor 2025, por tashmë, teksa po hyjmë në muajin mars, ende nuk janë bërë emërimet e nënkryetarëve dhe as drejtorëve të komunës.
Edhe më herët, KALLXO.com ka raportuar për këtë çështje, duke cituar zyrtarë nga kabineti i kryetarit që deklaronin se procesi i prezantimit të përbërjes qeverisëse ishte në rrjedhë dhe se publikimi i emrave ishte çështje ditësh.
Megjithatë, përbërja e re e ekzekutivit komunal nuk u prezantua deri më sot.
Në anën tjetër, burime brenda komunës kanë bërë të ditur se një marrëveshje koalicioni ndërmjet LDK-së, si parti e parë që doli fituese në Prishtinë në zgjedhjet lokale dhe Partisë Demokratike të Kosovës, veçse është arritur.
Lidhur me koalicionet e mundshme, KALLXO.com ka provuar disa herë që të marrë sqarime nga partitë e tjera të Asamblesë së Kryeqytetit, si PDK, Lidhja për Prishtinën dhe Nisma Socialdemokrate, mirëpo përfaqësuesit e tyre kanë qenë të paarritshëm përmes telefonit.
KALLXO.com nuk ka arritur të marrë përgjigje dhe sqarime as nga Komuna e Prishtinës, me gjithë insistimin.
Edhe Rama, në një konferencë për media, kur u pyet për këtë çështje, deklaroi për një “koalicion të gjerë gjithpërfshirës”, që sipas tij, pritet të formohet së shpejti.
“Kam kërkuar publikisht nga të gjitha partitë politike që të bashkohen, pra të bëjmë një koalicion të gjerë që t’i shtyjmë proceset përpara dhe kjo me siguri do të bëhet shumë shpejt”- deklaroi ai më 15.02.2026.
Rama theksonte se qeverisja komunale “po funksionon normalisht dhe pa pengesa”.
“Qeverisjen e kemi funksionale, i kemi nënkryetarët, drejtorët dhe jemi duke punu pa asnjë problem”- ishte shprehur ai.
Një frymë koncensusi u shpërfaq gjatë mbledhjes së jashtëzakonshme të Kuvendit të Kryeqytetit për votimin e buxhetit të komunës.
Përveç Lëvizjes Vetëvendosje, grupet e tjera politike votuan në favor të buxhetit të propozuar nga ekzekutivi, çka u interpretua si një mbështetje e gjerë e koalicionit qeverisës.
Ndërsa, shefi i grupit të asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje, Gëzim Sveçla, ka kritikuar vonesat në formimin e strukturave drejtuese të Komunës së Prishtinës nga kryetari Përparim Rama.
Sipas Sveçlës, partia e tij nuk ka pranuar asnjë ofertë apo ftesë për koalicion, dhe deklaratat publike të kryetarit për ftesa ndaj subjekteve të tjera i ka quajtur “shou mediatik”.
“Si Lëvizje Vetëvendosje!, me aq sa di dhe sa kam njohuri, nuk kemi pranuar ofertë apo ftesë për koalicion nga z.Rama. Deklaratat e tij publike për ftesë drejtuar të gjitha subjekteve kanë qenë shou mediatik dhe për konsum politik”- ka deklaruar Sveçla.
Ai ka theksuar se vonesat në formimin e ekipit drejtues dhe mosorganizimi i mbledhjeve të Kuvendit janë pasojë e një situate ku kërkesat e subjekteve politike që e mbështetën rikandidimin e Ramës nuk janë akomoduar.
Sipas tij, partia e kryetarit, si dhe aleatët e tij të balotazhit, përfshirë PDK, AAK, Lidhja e Prishtinës dhe Nisma, kërkojnë pjesën e tyre të pushtetit, duke krijuar “një ngërç” që ndikon drejtpërdrejt te qytetarët.
“Asgjë nuk funksionon, çdo gjë është improvizim. Është papërgjegjësi totale e z.Rama dhe shpërfaqje në plotni e dështimit të tij në këtë drejtim, kurse pasojat po i bartin drejtpërdrejt qytetarët e Prishtinës”- ka përfunduar Sveçla.
E njohësi i qeverisjes lokale, Bekim Salihu këtë situatë po e konsideron si mungesë transperence nga ana e kryetarit të komunës.
“Rama ka treguar një jotransparencë duke mos i bërë të qarta arsyet se pse ka ardhur deri tek kjo gjendje. Përveç kritikës për mosemërimin e drejtorëve të drejtorive, në të njëjtën kohë duhet kritikuar edhe qasja e mossqarimit, dhe moskomunikimit me opinion se pse po ndodh kjo”- ka thënë Salihu.
Sipas tij, mungesa e drejtorëve të drejtorive po reflektohet drejtpërdrejt në performancën e sektorëve komunalë, ku qytetarët e Prishtinës tashmë po përballen me vështirësi konkrete në funksionimin e shërbimeve publike. Ai konsideron se emërimet duhej të ishin përmbyllur brenda javëve të para të mandatit.
Salihu thekson se arsyet reale të vonesës mbeten të paqarta, pavarësisht deklarimeve për një qeverisje gjithëpërfshirëse.
Ai vlerëson se mund të kenë ekzistuar marrëveshje fillestare, që më pas janë shoqëruar me pakënaqësi apo përçarje politike, gjë që ka prodhuar bllokadën aktuale.
“Gjasat janë të mëdha që fillimisht e ka pasur një dakordim por që më pas duket që ka çarje, pakënaqësi që pastaj po e shkaktojnë këtë gjendje, që është një situatë që nuk i bënë nder kryetarit të Prishtinës”- deklaron Salihu.
Përparim Rama po vazhdon udhëheqjen e Kryeqytetit për mandatin e dytë.
Ai doli fitues në balotazh përball kandidatit të LVV-së, Hajrulla Çeku.