Klan Kosova pas vendimit të MINT: I kemi rregulluar dokumentet menjëherë

Pas vendimit të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë e cila refuzuar ankesën e televizionit “Klan Kosova” ndaj vendimit për pezullim të certifikatës së biznesit, këta të fundit thonë se ndryshimet në dokumentet përkatëse janë bërë në kohë.

Klan Kosova pretendon se MINT kanë bërë konstatim të gabuar të gjendjes faktike.

“Duke marrë si shkas mënyrën e arsyetimit të Vendimit të kundërligjshëm të Komisionit për Shqyrtimin e Ankesave për Regjistrimin e Bizneseve, nga ana MINT e cila pretendon që Klan Kosova nuk ka bërë ndryshimet në dokumentet përkatëse, edhe njëherë detyrohemi që t’i ofrojmë opinionit sqarime shtesë, meqë të njëjtat nuk janë marrë parasysh nga ana e MINT gjatë shqyrtimit të Ankesës së Klan Kosova dhe për më tepër të njëjtit kanë bërë konstatim të gabuar të gjendjes faktitke”- thuhet në reagim.

Televizioni bën të ditur se do të ushtrojnë të drejtën e tyre ligjore për të kërkuar anulimin e vendimit.

“Fillimisht, sqarojmë që Klan Kosova do ta ushtrojë të drejtën e saj ligjore për të kërkuar anulimin e Vendimit të kundërligjshëm dhe natyrisht do prezantojë të gjitha provat dhe shkeljet e njëpasnjëshme të MINT dhe ARBK. Mirëpo, përkundër këtij fakti, konsiderojmë se mashtrimi institucional nuk bën të kalojë dhe ne duhet të reagojmë ndaj çdo shtrembërimi të fakteve”- shprehet Klan Kosova.

Pas  vendimit të datës 28 korrik 2023 dhe njoftimit të MINT në rrjete sociale, Klan Kosova ka prezantuar disa dokumente përmes të cilave pretendon se ndryshimet janë bërë.

“Konfirmojmë edhe njëherë, ashtu siç tregohet në dokumentin e bashkëngjitur, se dokumentet e ndryshuara mbajnë datën e 20 qershorit 2023 dhe të njëjtat janë dorëzuar në ARBK më datë 21 qershor 2023, kur edhe u mor vendimi për ta hequr pezullimin e certifikatës së Klan Kosova. Prandaj, ashtu siç është e njohur tashmë se në të njëjtën ditë u shkarkua drejtoresha e ARBK-së, u zëvendësua me një tjetër dhe sërish u pezullua jashtëligjshëm certifikata”- thotë Klan Kosova.

“Për më tepër pas vendimit të datës 28 korrik 2023 dhe njoftimit të MINT në rrjete sociale, në mënyrë që të rrëzojmë pretendimet lajthitëse të këtij njoftimi, të bashkangjitur në këtë komunikatë mund të gjeni gjithashtu Certifikatën e datës 28 korrik 2023, ora 19:00, e cila vërteton saktë edhe njëherë që ndryshimet janë bërë”- theksohet në reagim.

Reagimin e plotë të Klan Kosova mund ta gjeni në këtë link.

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ka refuzuar ankesën e televizionit “Klan Kosova” ndaj vendimit për pezullim të certifikatës së biznesit.

Sipas njoftimit të MINT, këtë vendim e ka marrë komisioni për shqyrtimin e ankesave për regjistrimin e bizneseve.

Në njoftim thuhet më tej se pala ankuese gëzon të drejtën për të parashtruar padi në gjykatën kompetente.

“Vendimi i Komisionit konstaton se ARBK-ja, në shkallën e parë, ka vendosur në përputhje me ligjin kur e pezulloi certifikatën e biznesit të Klan Kosovës sh.p.k.. Arsyetimi i ARBK-së për pezullimin e certifikatës ka qenë se, në dokumentet e regjistrimit të kompanisë pronare të biznesit në fjalë, “KGO Media Invest DOOEL”, komunat e Republikës së Kosovës paraqiten si qytete të Serbisë, gjë që përbën shkelje të Kushtetutës sonë” – thuhet në njoftimin e MINT

Ministria thotë se “Klan Kosova” Sh.P.K. pas kaq shumë vitesh ka nisur hapa për korrigjim, vërteton se biznesi në fjalë e kishte kryer shkeljen e konstatuar nga ARBK-ja dhe se vendimi për pezullimin e certifikatës së biznesit ishte marrë me të drejtë.

Ndryshe, MINT ka dorëzuar kallëzim penal kundër “Klan Kosova” Sh.P.K. dhe pronarëve të saj.

Në lidhje me vendimin e MINT-it, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka cilësuar si jetikje lirinë e mediave, ai është shprehur se ndekja e rregullave të regjistrimit është një detyrë ligjore.

“Kosova ka 468 biznese të regjistruara, aktiviteti primar i të cilave është media dhe 114 kompani të licencuara audio apo audiovizive. Ndjekja e rregullave të regjistrimit është një detyrë ligjore, jo një “teknikitet”. Dhe zbatimi i rregullave të tilla kundër një shkelësi të vetëm nuk kërcënon pluralizmin mediatik”-ka shkruar Kurti në Twitter.

“Liritë e medias janë jetike: një sulm ndaj tyre është një sulm ndaj demokracisë. Por demokracia gjithashtu sulmohet kur biznesmenë të fuqishëm shkelin ligjin për përfitime financiare. Dhe zbatimi i ligjit kundër shkeljeve të njerëzve të tillë – në asnjë mënyrë – nuk përbën një sulm ndaj lirisë së medias”-ka shtuar Kurti.

Kurse, ambasadat e Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara, si dhe Bashkimi Evropian në Kosovë, përmes një reagimi të përbashkët kanë  shprehur shqetësimin e tyre të thellë për këtë vendim të MINT.

“Jemi veçanërisht të shqetësuar se heqja e licencës së biznesit të Klan Kosovës është një vendim joproporcional që do të ketë pasoja në pluralizmin mediatik në Kosovë” -thuhet në reagim.

“Liria e shprehjes dhe informimit janë tipare thelbësore të shoqërive demokratike. Presim një proces ligjor të drejtë dhe transparent  për zgjidhjen e situates” – thuhet tutje në reagim.

Vendimin e Ministrisë e ka kritikuar Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK).

“AGK-ja, beson se ky proces që nga fillimi ka qenë i motivuar politikisht nga partia në pushtet dhe Qeveria e Kryeministrit Kurti, në përpjekje për të mbyllur televizionin më të madh privat në vend » – thuhet, ndër të tjera, në reagimin e AGK-së.

Në një reagim të saj, presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka kërkuar të sqarohet çdo dilemë ligjore rreth rastit të licencës së ‘Klan Kosovës’.

Më 14 qershor MINT kishte marrë vendim që të pezullojë certifikatën e biznesit të shoqërisë tregtare “Klan Kosova” Sh.P.K.

Pas këtij vendimi ka pasur reagime të shumta nga akterë të shumtë në Kosovë, duke e cilësuar këtë si censurim të fjalës së lirë.

Ministria refuzon ankesën e “Klan Kosovës” ndaj pezullimit të certifikatës së biznesit