Komisioni i Pavarur per Media/KPM

KPM gjobiti me 5 mijë euro Klan Kosovën

Komisioni i Pavarur i Mediave më 20.03.2024 e ka gjobitur me 5 mijë euro median, Klan Kosova me arsyetimin se ka ndërruar pronësinë pa dijeninë e këtij institucioni.

“Në bazë të gjetjeve zyra ekzekutive ka propozu gjobë prej 5 mijë (Euro). Ka dal se ka ndryshim të pronësisë pa aprovim të KPM-së”- tha kryetari i KPM-së, Jeton Mehmeti.

Kundër këtij vendimi ishte anëtarja e bordit të KPM-së, Luljeta Aliu, e cila e quajti gjobën qesharake duke theksuar se duhet një dënim më i madh.

“Kemi marrë dokumentacione nga ARBK që ka pas ndërrim të pronësisë disa herë dhe nuk pajtohem me gjobën sepse po ia falim, po i mbyllim sytë. Sipas tabelës që e patëm kërku janë 5 ndryshime të pronësisë. Duhet të ketë sqarime në këtë pjesë dhe si është e mundur që KPM i mbyll sytë dhe e lejon me mashtru”- tha Aliu.

Ushtruesi i detyrës i kryeshefit ekzekutiv, Faruk Rexhaj tha se rekomandimi është konform ligjit.

“Rekomandimi është konform ligjit. Ka plotë raste që KPM nuk ka qenë në dijeni për ndryshim të pronësisë dhe kur e kemi marrë vesh i kemi kërku me ardh në pajtueshmëri”- tha Rexhaj.

Në një komunikatë për media të datës 14.06.2023, MINT kishte njoftuar se kishte iniciuar kallëzim penal në Departamentin e Krimeve të Rënda në kuadër të Policisë, ndaj “KLAN KOSOVA” SHPK, zyrtarëve përgjegjës nga Agjencia për Regjistrimin e Bizneseve dhe personave përgjegjës të kompanisë, nën dyshimin për keqpërdorim të detyrës zyrtare, si dhe keqpërdorim të autorizimeve ekonomike.

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, përkatësisht Agjencia për Regjistrimin e Bizneseve e Kosovës, gjithashtu kishte marrë vendim që të pezullonte certifikatën e biznesit të Shoqërisë Tregtare “KLAN KOSOVA” SHPK, deri në një vendim tjetër, thuhej më tutje në njoftim.

Në këtë vendim thuhej se “në certifikatën e biznesit tek ndërrimi i pronarëve, figuron vendbanimi Pejë – Serbia, Gjakovë – Serbia, dhe meqë nuk lejohet regjistrimi i një biznesi vendbanimi i të cilit është në kundërshtim me parimet themelore të Kushtetutës.

“Klan Kosova asnjëherë nuk ka pasur rastin as të japë shpjegime çfarëdo në institucionet e shtetit lidhur pretendimet e ministrisë, të cilat sipas tyre kanë rrjedhur nga një shkrim spekulativ nga një portal online, vetëm një ditë më parë” – thuhej në reagimin e Klan Kosovës.

Në reagimin e televizionit veprimi i Ministrisë u cilësua si i padrejtë, arbitrar dhe me premisa autokratike, i pabazuar në ligj, dhe tentim i shkeljes së lirisë së medias.Reagim pati edhe nga Bashkimi Evropian të cilët u shprehën të shqetësuar lidhur me pezullimin e kësaj lincence, përmes një postimi në Twitter.

Gjykata miratoi padinë e ‘Klan Kosova’ ndaj MINT-it

 

Rasti “Klan Kosova”, disa organizata ndërkombëtare mirëpresin vendimin e Gjykatës Komerciale