Foto: Denis Sllovinja / KALLXO.com

KFOR: Sundimi i ligjit është përgjegjësi ekskluzive e Policisë së Kosovës, ne jemi reaguesi i tretë ndaj incidenteve

Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR i ka bërë thirrje Beogradit dhe Prishtinës që të riangazhohen në  dialogun e lehtësuar nga BE-ja, i cili sipas tyre është mënyra e vetme për të arritur paqen dhe stabilitetin e qëndrueshëm për të gjitha komunitetet.

Në një përgjigje për KALLXO.com, KFOR-i thotë se të gjitha palët dihet të përmbahen nga retorika nxitëse, e cila është kundërproduktive dhe rrezikon përkeqësimin e mëtejshëm të tensioneve.

Më tej, KFOR-i thekson se mandati i tyre është i qartë dhe nuk përfshin zbatimin e ligjit, duke shtuar se kjo mbetet një përgjegjësi eksluzive e Kosovës.

“KFOR-i nuk kryen aktivitete për zbatimin e ligjit, të cilat janë e drejtë ekskluzive e Policisë së Kosovës dhe të monitoruara nga EULEX-i. KFOR-i është reaguesi i tretë ndaj incidenteve të sigurisë pas Policisë së Kosovës dhe Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit, ose EULEX-it”- kanë thënë nga KFOR për KALLXO.com.

KFOR shton se trupat rezervë po përforcojnë operacionin paqeruajtës KFOR-it pas një kërkese të Komandantit Suprem të Aleatëve për Evropë, miratuar të dielën nga Aleatët në Këshillin e Atlantikut të Veriut, teksa shprehen se përforcime të mëtejshme do të pasojnë nga aleatët e tjerë.

“Trupat janë tërhequr nga rezerva strategjike e NATO-s për Ballkanin Perëndimor. Mbretëria e Bashkuar po vendos rreth 200 ushtarë nga Batalioni i Parë i Regjimentit Mbretëror të Princeshës së Uellsit për t’iu bashkuar një kontingjenti prej 400 trupash të Mbretërisë së Bashkuar që tashmë ushtrohet në Kosovë, dhe përforcime të mëtejshme do të pasojnë nga aleatët e tjerë”- vlerëson KFOR.

KFOR vlerëson se ky vendim vjen pas sulmit të dhunshëm ndaj Policisë së Kosovës më 24 shtator dhe rritjes së tensioneve në rajon.

“Ky është një hap i kujdesshëm për të siguruar që KFOR-i ka forcat dhe aftësitë që i nevojiten për të përmbushur mandatin e tij të OKB-së: të mbajë një mjedis të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjithë njerëzit në Kosovë. KFOR-i do të vazhdojë të veprojë në mënyrë të paanshme për të mirën e sigurisë në Kosovë dhe rajon”- përfundon KFOR-i.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama javën e kaluar tha se për sigurinë e veriut të Kosovës të vendoset misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë – KFOR.

Ndërsa kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i është përgjigjur homologut të tij shqiptar, Edi Rama, pas deklaratave se “KFOR-i duhet të marrë në kontroll veriun e Kosovës”.

Kurti në një intervistë për mediumin boshnjak “Istraga.ba” ka thënë se Kosova përgjatë kufirit me Serbinë ka nevojë për patrulla të përbashkëta që përfshijnë Policinë dhe KFOR-in por jo të ndryshohet protokolli sipas të cilit Policia është reaguesja e parë.

Policia e Kosovës u sulmua me 24 shtator në një pritë nga një grup terrorist, derisa po shkonte për të kontrolluar bllokimin e një rrugë pranë një ure në Banjskë të Zveçanit, e ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku.

Sulmuesit terroristë u strehuan në manastirin e fshatit ku e vazhduan konfrontimin me policinë dhe si pasojë, tre prej tyre u vranë.

Policia e Kosovës gjeti dhe konfiskoi një arsenal armësh pas sulmit.

Pesë ditë pas sulmit, përgjegjësinë për organizimin e sulmit e mori Millan Radoiçiq, nënkryetar i dorëhequr tashmë i Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë.

Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, tha se Radoiçiq nuk ka vepruar i vetëm siç ka thënë, por i mbështetur nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Ai shtoi se hetimet e deritashme kanë treguar si “mbi 80 terroristë” kanë qenë të përfshirë në sulmin në Banjskë.

Ndërkohë, NATO-ja njoftoi të premten se ka miratuar forca shtesë për t’i dislokuar në veri të Kosovës – zonë e banuar me shumicë serbe – për shkak të rritjes së tensioneve.

Serbia e ka mohuar përfshirjen në këtë sulm të cilësuar si terrorist nga autoritetet kosovare.

Millan Radoiçiq u ndalua më 3 tetor nga autoritetet serbe.

Radoiçiq sipas njoftimit ishte dërguar në prokurorinë e lartë të Beogradit me kallëzim penal, ndërsa më 4 tetor u lirua nga autoritetet serbe.

Sipas vendimit të gjykatës, në të njëjtën kohë, i është caktuar masa e ndalimit të largimit nga vendbanimi dhe iu është ndaluar nga territori i Serbisë pa aprovim nga gjykata. Gjithashtu, Radoiçiqit iu është ndalohet edhe ardhja në Kosovë.

Radoiçiq është i kërkuar nga organet e rendit dhe drejtësisë në Kosovë ndërsa për rastin e fundit atë të sulmit terrorist të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit, institucionet kosovare kanë kërkuar nga Beogradi edhe dorëzimin e tij dhe personave të tjerë që morën pjesë në grupin terrorist.

Kjo pasi që Radoiçiq në orët e pasdites së 24 shtatorit 2023 u arratis nga Banjska për në Serbi gjatë kundërsulmit që grupi terrorist pati nga Policia e Kosovës.

Milan Radoiçiq ka pranuar zyrtarisht me anë të një letre se ka qenë mbrapa sulmit terrorist të 24 shtatorit në fshatin Basnjkë të Komunës së Zveçanit, ku u vra një rreshter i policisë e u plagos një tjetër.