Vritet një polic i Kosovës, plagoset një tjetër

08:05 – Vritet një polic i Kosovës, plagoset një tjetër

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar se mëngjesin e sotëm në fshatin Banjska të Zveçanit është vrarë një polic i Kosovës dhe një tjetër është plagosur.

Sipas Kurtit, i vrari është polic i rendit me gradën rreshter, kurse i plagosuri është pjesëtar i policisë kufitare.

Kurti po ashtu ka bërë të ditur se në këto momente ende vazhdojnë gjuajtjet me armë zjarri ndaj Policisë së Kosovës. Sipas tij, sulmuesit janë profesionistë me maska e të armatosur dhe me armë të rënda.

“Krimi i organizuar me mbështetje politike, financiare dhe logjistike nga Beogradi zyrtar po e sulmon shtetin tonë. Në këtë betejë ne mbrojmë dhe zbatojmë ligjin, mbrojmë dhe ruajmë qytetarët pa dallim dhe Kosovën e pavarur. Kriminelët ekzekutorë dhe urdhërdhënësit e tyre do të dështojnë, do të kapen, gjykohen e dënohen. Qeveria e Republikës së Kosovës dhe institucionet e shtetit janë të gatshme dhe të bashkërenduara për t’iu përgjigjur krimit dhe kriminelëve, terrorit dhe terroristëve” – ka thënë Kurti.

Policia: Jemi sulmuar me granata dhe zolla

Policia e Kosovës ka lëshuar komunikatë, pas incidentit në fshatin Bajnskë të Leposaviqit, kur mëngjesin e sotëm është vrarë një polic i Kosovës dhe një tjetër është plagosur.

Policia ka bërë të ditur se rreth orës 02:34 në hyrje të fshatit Bajnskë, në urë, gjatë patrullimit ka vërejtur se janë vendosur dy kamion pa targa, duke bllokuar hyrjen e fshatit përmes urës.

Më pas, tre njësi të Policisë janë nisur në drejtim të urës dhe sapo kanë arritur, Policia ka bërë të ditur se nga disa pozicione të ndryshme janë sulmuar me arsenal armësh, përfshirë këtu granata dore dhe zollë.

Si pasojë e sulmit, janë qëlluar me armë zjarri dy zyrtarë policorë.

“Zyrtarët policorë të plagosur janë tërhequr nga lokacioni dhe janë transportuar në Spitalin Rajonal në Mitrovicë Jugu, ku nga mjeku kujdestar është konstatuar vdekja e njërit nga zyrtarët policor të plagosur rëndë, ndërsa dy zyrtarë të tjerë, njëri i plagosur dhe tjetri i lënduar, sipas mjekëve janë jashtë rrezikut për jetë dhe të njëjtit janë transportuar në SHSKUK për trajtim të mëtutjeshëm mjekësor” – thuhet në komunikatë.

Po ashtu, Policia e Kosovës ka njoftuar se të gjitha njësitë relevante sipas profileve janë aktivizuar në teren, të njëjtat sipas Policisë, janë duke u sulmuar kohë pas kohe me armë zjarri nga grupe të organizuara dhe të armatosura.

“Policia e Kosovës në bashkëpunim dhe koordinim me institucionet kompetente dhe organet edrejtësisë, po ndërmerr veprimet e saja me qëllim të ruajtjes së rendit dhe sigurisë publike si dhesjelljes para organeve të drejtësisë së kryerësve të sulmeve ndaj zyrtarëve policor” – thuhet në komunikatë.