Millan Radoiçiq lirohet nga mbajtja, i ndalohet hyrja në Kosovë

Gjykata në Beograd e ka liruar Millan Radoiçiqin nga mbajtja, një ditë pasi u ndalua nga autoritetet serbe.

Sipas vendimit të Gjykatës, në të njëjtën kohë, i është caktuar masa e ndalimit të largimit nga vendbanimi dhe iu është ndaluar nga territori i Serbisë pa aprovim nga Gjykata.

Gjithashtu, Radoiçiqit iu është ndalohet edhe ardhja në Kosovë.

Sipas këtij vendimi, ai do të duhet të paraqitet në stacionin policor kompetent në datat 1 dhe 15 të çdo muaji.

Atij gjithashtu sipas vendimit gjykatës iu është konfiskuar pasaporta.

Policia e Kosovës u sulmua me 24 shtator në një pritë nga një grup terrorist, derisa po shkonte për të kontrolluar bllokimin e një rrugë pranë një ure në Banjskë të Zveçanit, e ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku.

Sulmuesit terroristë u strehuan në manastirin e fshatit ku e vazhduan konfrontimin me policinë dhe si pasojë, tre prej tyre u vranë.

Policia e Kosovës e gjeti dhe konfiskoi një arsenal armësh pas sulmit.

Pesë ditë pas sulmit, përgjegjësinë për organizimin e sulmit e mori Millan Radoiçiq, nënkryetar i deritashëm i Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë.

Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, tha se Radoiçiq nuk ka vepruar i vetëm siç ka thënë, por i mbështetur nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Ai shtoi se hetimet e deritashme kanë treguar si “mbi 80 terroristë” kanë qenë të përfshirë në sulmin në Banjskë.

Ndërkohë, NATO-ja njoftoi të premten se ka miratuar forca shtesë për t’i dislokuar në veri të Kosovës – zonë e banuar me shumicë serbe – për shkak të rritjes së tensioneve.

Serbia e ka mohuar përfshirjen në këtë sulm të cilësuar si terrorist nga autoritetet kosovare.

Milan Radojçiq u ndalua më 3 tetor nga autoritetet serbe.

Radoiçiq sipas njoftimit është dërguar në prokurorinë e lartë të Beogradit me kallëzim penal.

Radoiçiq është i kërkuar nga organet e rendit dhe drejtësisë në Kosovë ndërsa për rastin e fundit atë të sulmit terrorist të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit, institucionet kosovare kanë kërkuar nga Beogradi edhe dorëzimin e tij dhe personave të tjerë që morën pjesë në grupin terrorist.

Kjo pasi që Radoiçiq në orët e pasdites së 24 shtatorit 2023 u arratis nga Banjska për në Serbi gjatë kundërsulmit që grupi terrorist pati nga Policia e Kosovës.

Milan Radoiçiq ka pranuar zyrtarisht me anë të një letre se ka qenë mbrapa sulmit terrorist të 24 shtatorit në fshatin Basnjkë të Komunës së Zveçanit, ku u vra një rreshter i policisë e u plagos një tjetër.

Kush është Millan Radoiçiq, lideri “nën hije” i serbëve të Kosovës?