Sokol Haliti dhe KFOR-i amerikan - Foto: Komuna e Vitisë

KFOR-i amerikan interesohet nga afër për gjendjen në komunën e Vitisë

Oficerë të forcave amerikane të KFOR-it janë takuar sot me kryetarin e Komunës së Vitisë, Sokol Halitin, me të cilin kanë diskutuar për gjendjen në këtë komunë si njëra nga më të prekurat nga coronavirusi në Kosovë.

Kryetari Haliti përfaqësuesit e Ekipit ndërlidhës (LMT) të KFOR-it amerikan i njoftoi për punën dhe aktivitetet që Komuna po i ndërmerr në bashkëpunim edhe me mekanizmat e tjerë relevantë për t`u përballuar sa më lehtë me  pandeminë e coronavirusit.

Në interesimin e përfaqësuesve të KFOR-it se cilat mund të jenë problemet dhe vështirësitë që mund të paraqiten në ditët e ardhshme, kryetari Haliti shprehu brengën e tij se Vitia si komunë e izoluar që dy javë, mund të përballet me mungesë të ushqimeve dhe medikamenteve, si dhe me problem në kryerjen e shërbimeve administrative dhe publike si dhe trajtimin e të sëmurëve kronikë.

“Jemi organizuar në nivel komunal dhe po përpiqemi ta menaxhojmë situatën me kapacitetet vetanake. Niveli qendror ka bërë shumë pak. Kemi nevoja të vazhdueshme për pajisje mbrojtëse, mjekësore dhe për dezinfektim. Këto nevoja po mundohemi t`i mbulojmë me të hyrat vetanake. Na është dashur ta aktivizojmë  një kompani private për prodhimin e maskave dhe rrobave mbrojtëse për personelin shëndetësor. Në koordinim  me këshillat e fshatrave, me Kryqin e Kuq dhe shoqatën ‘Nëna Terezë”  nga donatorët kemi siguruar furnizim me ushqime dhe mjete higjienike për rreth 800 familje. Ka ndihmuar edhe shoqata “Stublla” nga diaspora. Deri tani kemi mbuluar rastet më ekstreme por duhet të mendojmë për fazat e ardhshme”, tha kryetari i Vitisë, sipas njoftimit të Komunës.

Kryetari Haliti tha gjithashtu se aktualisht gjendja është nën kontroll.

“Kufizimi i qarkullimit të automjeteve dhe qytetarëve ka shkaktuar kundërefekt, sepse  qytetarët pas orës 16:00 po grumbullohen dhe po bëjnë tollovi nëpër markete dhe barnatore për t`u furnizuar me artikuj ushqimorë, higjienikë dhe me barna”, ka thënë kryetari i Vitisë Sokol Haliti.

Nga ana e tyre përfaqësuesit e KFOR-it amerikan thanë se kanë ardhur të shohin se si po menaxhohet situata me coronavirusin.

“E kemi parasysh që keni vështirësi për pajisje dhe furnizim. Po e shohim që po bëni një punë të shkëlqyeshme. As në SHBA nuk po bëhet diçka më shumë se sa që po bëni ju këtu. Ardhjet dhe takimet tona  do të vazhdojnë, pasi krejt bota po ballafaqohet me këtë situatë”, kanë thënë ata, sipas njoftimit të Komunës.

Kujtojmë se ditë më parë ishte raportuar se zyrtarët e KFOR-it, kishin anuluar të gjitha donacionet dhe ndihmat për Komunën e Vitisë për shkak të taksës 100 për qind, por që ishte demantuar nga zyrtarët e KFOR-it.

Kryetari i Vitisë: KFOR-i amerikan ka ndaluar bashkëpunimin me ne për shkak të tarifës

 

 

#Covid-19, KFOR, Komuna Vitisë, Sokol Haliti